PREFEKTËT USHTARAKË NJË TJETER HAP PËRGJATË FASHISTIZIMIT TË QEVERISJES! Mapo, 17. 11. 2017


Qeveria Rama 1 mund të përkufizohet mbështetur në pesë karakteristikat e saj thelbësore: centralizuese, propogandistike, demagogjike, fasadiste dhe policore. Për katër vite, në një progresivitet të dallueshëm, kjo qeveri rrëmbeu cdo funksion vendor qeverisës dhe ushtroi vendimmarrjen e saj të paligjshme në aktivitete vendore, me dimension të fortë propogandistik, demagogjik dhe fasadist nëpërmjet “dhunës legjitime” të ushtruar nga policia e saj e militarizuar! Ajo  anashkaloi detyrat dhe funksionet e qeverisjes kombëtare, si hartimi i politikave kombëtare për shpërndarjen e popullsisë në territor, për transportet dhe infrastrukturën, për mbrojtjen e territoreve dhe zonave natyrore, për turizmin, për kulturën e të tjera si këto, për t’ju dedikuar cështjeve lokale, si të pastrehët, ndihma ekonomike, mbledhja e taksave lokale, menaxhimi urban (lejedhënia dhe kontrolli i territorit), dhe planifikimi territorial (planifikimi e projektimi urban).
Është kjo veprimtari dhe këto vecori të saj që na kanë drejtuar rreth tre vite më parë në pyetjen legjitime, a po shkojmë drejt fashizmit?! Pyetje kjo që e ka përgjigjen brenda, nëse këtyre karakteristikave që e bëjnë pothuajse komuniste i shtojmë edhe dy të tjera. E kam fjalën për shkeljen e të drejtave kushtetuese të individit si ajo për të siguruar mbijetesën, e barazisë së shtetasve dhe të drejtat e pronësisë, por edhe të drejtat qytetare si ajo e informimit publik dhe e përfshirjes qytetare në aktivitete qeverisëse. E kam fjalën, gjithashtu, për marrdhënien okulte midis qeverisë dhe një grushti njerëzish e bisnesesh në shpërndarjen e parave, pronave dhe punëve publike. Sepse janë këto karakteristika, vecanërisht e dyta që ndryshe nga kolektivizmi komunist ‘nuk e lufton sipërmarjen private por e shfrytëzon atë për unitetin dhe të mirën kombëtare’, që i japin asaj dimensionin unik të mortajës tjetër kolektiviste e marksiste, fashizmit.
Në këto rrethana të frikshme, z. Rama shkarkoi dhe emëroi njëkohësisht të 12 prefektët e qarqeve. Një vendimarrje qeverisëse plotësisht në baza ligjore e kushtetuese por që hapi një debat të madh publik. Shqetësimi i parë vjen nga konteksi. Në një kohë  kur Kryeministri është vetkthyer në Kryebashkiakun e Republikës dhe udhëheq nëpërmjet 61 drejtorëve të bindur apo të pabindur të tij lokal, kjo vendimarrje të vë në dyshime të thella. Shqetësimi i dytë vjen nga vendimarrja në vetvete. Shkarkimet lënë një shije të keqe sepse ato u kryen njëkohësisht, cka dëshmon se nuk ishte një vendimarrje mbi parimin e meritokracisë apo praktikën e vlerësimit të performancës individuale. Sidoqoftë, ajo që mori valencë të lartë nuk ishin shkarkimet, por emërimet e 12 prefektëve të rinj. Të gjithë ata janë ish ushtarakë të lartë, dhe z. Rama në konferencën për shtyp u shfaq shumë i vetëdijshëm dhe krenar për këtë përzgjedhje të tij.   
Kushdo që e ndoqi atë konferencë për shtyp i ka të dallueshme dy thekset që vuri Kryeministri në prezantimin e tij. Theksi i parë ishte kontributi i tyre në ushtrinë shqiptare në kohën ‘urdhëro-si urdhëron’. Pra, athere kur në Shqipëri ekzistonte ajo që Kryeministri i sotëm ‘po bën’: Shteti! Dhe shteti, si në regjimin, nostalgjikët e të cilit z. Rama po manipulon sepse e mbajnë në pushtet, edhe në regjimin që ai ka për model të qeverisjes së tij, “bëhet” vetëm me polici të militarizuar dhe drejtim ushtarak. Theksi i dytë ishin trajinimet dhe aftësimet që prefektë e rinj kishin kryer nën kuadrin e NATOs. Ky theks nuk i prish punë me nostalgjikët, që megjithëse përpara NATOs do të kishin preferuar Traktatin e Varshavës, janë mësuar me ilegalitetin (dualizmin e diskursit me veprimin) për hir të cështjes së “madhe”. Dhe në të njëjtën kohë i bën punë me ambasadorët dhe ndërkombëtarët, të cilëve mjafton t’ju bëj injeksionin demagogjik të radhës dhe flenë të qetë.
Përtej debatit public, mbi vendimarrjen e z. Rama për prefektët, ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e kornizon atë plotësisht. Është baza ligjore mbi të cilën do të operojnë këta zyrtarë, dhe vecanërisht funksionet dhe kompetencat që kanë. Nëse e studjon këtë bazë ligjore, kompetenca më e rëndësishme e tyre është ‘verifikimi i ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore’. Pra vecanërisht aktiviteti i kuvendeve lokale, që në të njëjtën kohë është veprimtaria e vetme qeverisëse jashtë kontrollit të z. Rama. Sigurisht se, kujdo profesioni ti përkisnin prefektët, sikurse gjithmonë ka ndodhur, Kryeministri do kishte pushtet mbi vendimet e Këshillave Bashkiakë. Porse në rastin kur prefektët janë ushtarakë të formuar kulturalisht dhe profesionalisht në komunizëm dhe drejtohen nga një epror me qasje fashiste qeverisëse, është evident rreziku që i kanoset qeverisjes vendore. 


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017