ARGUMENTET E DEFORMUARA TË BASHKISË PËR ‘KULLAT E TIRANËS’. Mapo, 11. 10. 2017

Ka një arsye logjike pse nuk jam shprehur për kullat në qendër të Tiranës. Përfshirja në një debat të tillë të fragmentarizuar do të dëmtonte një nga tezat e mia më të rëndësishme. Tezën se, asnjë zhvillim parcial nuk mund të vlerësohet nëse nuk vjen nga një set hirearik planifikimesh. Thënë thjesht, për të vlerësuar nëse ndërtimi i kullave duhet lejuar apo jo, duhet të kemi së pari një Plan të Përgjithshëm të Tiranës dhe në zbatim e zbërthim të tij studime pjesore për të gjitha njësitë strukturore urbane ku përfshihen edhe trojet e këtyre ndërtesave që kërkohen të ndërtohen. Në këtë kuptim, opinion im jashtë konjukturës së ‘domosdoshmërisë së planifikimit’ do legjitimonte cdo opinion tjetër. Mirëpo, këto ditë u gjenda në vështirësi për ti qëndruar këtij parimi bazik sepse bashkia Tiranë shprehu publikisht argumentet e saj ‘pse kullat janë një e mirë publike për Tiranën urbane’! Argumente të cilat kam vendosur të replikojë në këtë shkrim modest opinioni.
Argumenti i parë, i autoritetit të bashkisë, ishte se midis dy qasjeve teknike për të rritur Tiranën urbane ‘tejshtrirjes apo densifikimit’, ata kishin zgjedhur të dytën. Për ta përkthyer në gjuhën e përditshme, ky është një debat bashkëkohor i shkencës së urbanistikës, në të cilin shkencëtarë të ndryshëm  kontribuojnë duke sjellë argumenta ‘pse qyteti duhet zgjeruar në sipërfaqe duke ruajtur të pandryshuar densitetin’ dhe/ose ‘pse qyteti duhet densifikuar pa u tejshtrirë’! Bashkisë Tiranë i kishin pëlqyer argumentet e grupit të dytë dhe kishin vendosur pro densifikimit nëpërmjet ndërtimit të këtyre kullave. Mirëpo, zyrtarët e Bashkisë kishin harruar pa konsideruar dy variabla teknike shumë të rëndësishme. Së pari, se Tirana me 200 banor për hektar është tashmë një qytet i mbidensifikuar. Dhe së dyti, Tirana urbane po i nënshtrohet gjithashtu edhe një supershtrirje në Bulevardin e Ri dhe zhvillimeve masive të pakontrolluara në periferitë e saj.   
Me një fjalë nuk kemi të bëjmë me një përzgjedhje midis dy alternativave teknike për tu rritur, sikurse po na thuhet, përderisa të dyja alternativat janë ndërmarrë nga e njëjta administratë lokale. Por kundështia ime më e madhe me arsyetimin e Bashkisë qëndron në pyetjen që ata as nuk e shtrojnë fare, dhe jo më të kërkojnë argumenta për ta mbrojtur. Kush e ka vendosur që Tirana duhet të rritet dhe që administrata lokale është e detyruar të zgjerojë dhe/ose të lartësojë qytetin për të strehuar 22 mijë të ardhur cdo vit në Tiranën e 1 milion banorëve?! Në fakt, ajo që kemi bërë në 20 vjetë është se të gjithë ndërtesave të stokut të banesës së ndërtuar në kohën e komunizmit i vumë rrota dhe e kemi sjellë në Tiranë. Bile më keq, ato i lamë atje ku ishin dhe ndërtuam 230 mijë të tjera. Që këtu duhet të nisi shkencërisht analiza mbi Tiranën e së nesërmes. Ky është dabati bazik për Tiranën urbane, përpara se gjithë Shqipëria të mblidhet në Tiranë.
Argumenti i dytë i zyrtarëve të bashkisë Tiranë lidhej me ‘ndihmën që do jepte ndërtimi i kullave në lehtësimin e trafikut në zonën qëndrore të Tiranës”! Edhe për këtë argument fshiheshin pas shkencëtarëve botëror, por pa përmendur asnjë prej tyre. Sidoqoftë, për ti dhënë hakun, është e vërtetë që ka kontrobues në vëzhgime sociale dhe urbane që e mbështesin këtë tezë, porse ata e bëjnë në konteksin e qëndrave të reja urbane. Rritja e densitetit nëpërmjet kullave të superlarta, vërtet shkurton distancat e lëvizjes së përdoruesve të rrugëve dhe kjo ul kohën e lëvizjes së automjeteve në rrjetin rrugor të qytetit, por jo në konteksin e Tiranës. Një ndër specifikat e saj është se korridoret rrugore janë shumë të ngushtë dhe të paadoptueshëm. Pra vërtet distancat e lëvizjes shkurtohen si pasojë e grumbullimit të aktivitetit human, por në të njëjtën kohë shtohet numri i mjeteve në lëvizje për njësinë e sipërfaqes rrugore, dhe kjo sjell bllokimin e trafikut.
Sidoqoftë, tre cështje i riverifikuam nga qëndrimi i administratës së Bashkisë Tiranë për lejimin e ndërtimit të disa kullave hiper të larta në zonën qendrore të qytetit dhe argumentet e tyre të deformuara për ta mbrojtur këtë vendimarrje anti Republike (cështje publike)! Së pari, se dimensioni teknik i administratës së bashkisë e ka të pamundur ti konteksualizojë zgjidhjet e teknikës dhe shkencës globale brenda kulturës dhe mundësive shqiptare. Së dyti, se Karl Poper i ‘Pozitivizmit Kritik’ kishte të drejtë kur kundështonte Ogyst Kont të ‘Pozitivizmit Klasik” me argumentin se njerëzit me dembelizmin dhe parazitizmin që i karakterizon janë të prirur të gjejnë vetëm ato fakte që vërtetojnë hipotezën e tyre. Dhe së fundi, ndonjëherë është e domosdoshme të shkelës mbi parimet e tua nëse ky veprim shkon në përputhje me domosdoshmërinë që publiku të informohet me alternativa të demagogjisë, dhe mbi këtë informim të riformatojë qëndrimet e tij. 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017