RILINDJA URBANE, NJË SERI SHPËRDORIMI POPULIST I PARAVE PUBLIKE. Mapo, 15. 03. 2017

U trishtova pamasë kur, ndërsa lundroja në internet, ndesha disa foto që tregonin gjëndjen e sotme të qëndrës së Shijakut. Investimi publik, pjesë e projektit 350 milion euro të ‘Rilindjes Urbane’, kishte pësuar dëme që rikthenin në skenë nevojën e parave publike. Dhe ky është një ritual që do të përsëritet progresivisht në të ardhmen. Jo vetëm se punimet janë bërë ‘shkel e shko’, por se vet filozofia e këtij projekti është një shaka adoleshentësh me moshë adulti. Që në fillesë ky projekt më ka kujtuar Xhikun (Haxhiun). Ky ishte babai i tre fëmijëve të mitur që jetonin në një shtëpizë të vjetër të trashëguar nga gjyshi që nga koha e luftës së dytë botërore, por që kishte një mercedez të tipit të fundit. Të gjithë adoleshentët e lagjes e kishin zili. E kisha edhe unë, derisa kuptova se me paratë që Xhiku kishte blerë mercedesin mund të kishte rikontruktuar dhe zgjeruar shtëpizën, që nga pesha e kohës kishte aq shumë nevoja për tu bërë minimalisht e jetueshme. Ndoshta edhe me të drejtë, mund të më akuzojnë se nuk e dua të bukurën! Së pari do kërkoja të definojmë ‘të bukurën’, sepse e bukura në ndryshim me të logjikshmen, është shumë më relative. Më tej, do përcaktoja preferencën time ndaj të logjikshmes në raport me të bukurën, dhe do rreshtoja në mënyrën më antiartistike të mundshme, disa argumente teknike në mbështetje të tezës time se: projekti ‘Rilindja Urbane’ është një seri shpërdorimesh të parave publike. Projekti është antikushtetues sepse shkel autonominë e pushtetit vendor dhe bie në kundështi më Kartën Europiane të Autonomisë Vendore. Ai kthen mbrapsht procesin e modernizimit të Shtetit Shqiptar, duke blokuar një nga qasjet themelore të modernizimit të një shteti në tranzicion nga centalizimi socialist, sikurse është procesi i decentralizimit të funksioneve qeverisëse, në përputhje më një nga parimet bazike të qeverisjes së mirë, subsiariteti (vendimarrja sa më afër qytetarit). Projekti injoron shkencën e planifikimit territorial në dy parime bazike të saj. Palët e interesuara dhe të prekura nga ky zhvillim janë lënë jashtë vendimarrjes, duke anashkaluar parimin e ‘bashkëplanifikimit’ në ribërjen e qytetit.
Gjithashtu, janë shpërfillur planifikimet territoriale dhe planifikimet urbane për të kaluar direkt te projektimi urban i këtyre territoreve qëndrore të qyteteve, duke injoruar një nga karakteristikat bazike të planifikimit territorial, atë të hirearkisë. Projekti përforcon një nga karakteristikat më të shëmtuara të urbanistikës socialiste, atë të uniformitetit urban/arkitektonik. Të gjithë e njohin metodologjinë e projektimit të qyteteve socialiste dhe nëse studion projektet e sotme rezulton se ato janë fotokopje të njëra tjetrës. Kjo asnjëanson avantazhet konkuruese të qyteteve, sepse vret specifikën dhe specializimin e tyre të mëtejshëm. Ai është një shkallë më e lartë e një kuptimi shumë të gabuar që kemi mbi cështjet urbane, sipas të cilit qytetet shqiptare kanë nevojë për projekte zbukuruese, për ndërhyrje në estetikën dhe vizualitetin e tyre. Elita politike dhe teknike i shikon qytetet shqiptare me të njëjtat probleme sikurse qytetet europiane. Në të kundërt, qytetet shqiptare kanë domosdoshmëri për projekte të infrastruktukturore (inxhinierike dhe sociale), në mënyrë që të evoluojnë nga fjetore kolektive në qytete. Projekti përforcon pabarazi midis qëndrave të banuara të të njëjtës bashki. Nëse duhet ti gjejmë patjetër një aspekt pozitiv të ashtuquajturës Reformë Territoriale, atherë ajo është se duke bashkuar mekanikisht njësi të ndryshme monocentrike krijoi njësi policentrike urbane (në shkallë bashkie). Të cilat që në fillesë ishin në pabarazi mes tyre për shkak të diferencave bashki/komunë, porse me këto investime pabarazia e tyre bëhet më e theksuar. Ai dëmton policentrizmin e rajoneve urbane, në shkallën bashkiake, duke investuar në pikat më qendrore të qyteteve të reja (qendrat e bashkive qëndrore). Projekti punon si një parakusht për krijimin e një qasje centripetale të ribërjes urbane të qytetit në vazhdim. Sikurse forca centripetale e lavatrices i tërheq rrobat drejt qëndër së saj, edhe ky projekt do tërheqi investime dhe bisnese drejt pikës qëndrore të territorit ku këto investime janë kryer, duke injoruar territoret periferike të qytetit.

 Ky projekt nuk maksimilizon përfitimet nga investimi i parave publike, sepse impakti i tij është me një cikël. Pra, në ndryshim me investime të tjera, këto para’ publike ngurtësohen këtu. Në të kundërt, këto investime do kërkojnë herë pas here para’ të tjera publike për tu mirëmbajtur. Gjithashtu, ai nuk ka impakt të ndjeshëm në ekonominë lokale, sepse komponentët e tij (dizain, supervizioni, elementët e mobilimit urban, materialet e ndërtimit) vijnë nga qytetet kryesore apo nga jashtë vendit. Ai ndikon negativisht edhe në tregun e pasurive të patundshme. Nëse banesave, njësive të shërbimit apo shitjes me pakicë, në zonën e prekur nga ky projekt i fragmentarizuar u rritet vlera, zonave që nuk preket nga investimi ju ulet ndjeshëm. Kjo, sepse ky projekt nuk rrit aftësinë blerëse të banorëve në mënyrë që këta të kenë mundësi të paguajnë më shumë për cilësinë më të mirë, por rrit cilësinë e jetesës në një pikë të vetme të qytetit duke i tërhequar të gjitha paratë në këtë pikë. Projekti nuk ka ndikim në rritjen e avantazheve konkuruese të qyteteve shqiptare ndaj qyteteve të tjera të shteteve të rajonit apo më gjerë, për të synuar një rritje të turizmit në këto qytete. Vet projekti tenton ti ‘bëj qytetet shqiptare si qytetet e vendeve të tjera të botës perëndimore’ dhe në këtë kuptim, nuk shton arsye racionale dhe të logjikshme pse një turist i huaj që jeton në qytetet e botës perëndimore do të vizitonte Shqipërinë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017