VRAGA NË FYTYRËN E PARKUT TË LIQENIT QË NA TURPËRON TË GJITHËVE. Mapo, 30. 06. 2016

Ashtu sikurse na premtoi z. Veliaj, këndi i lojrave te Parku i Liqenit përfundoi së ndërtuari dhe në 1 qershor u hap për publikun. Në kuptimin teorik, termi ‘u ndërtua’ duket i përdorur gabimisht sepse këndet e lojrave për fëmijë, sikurse shumë infrastruktura të tjera me karakter rekreativ apo edukativ, nuk ‘ndërtohen’ por ‘zhvillohen’. Diferenca midis dy fjalëve, që në fakt shprehin koncepte shumë të kundërta, përbën edhe thelbin përcaktues të kësaj ndërhyrje brutale në një hapsirë natyrore. Të zhvillosh, në konteksin e një infrastrukture të tillë, do të thotë të modifikosh vendosjen në hapsirën tre dimensionale materialet ekzistuese natyrore në mënyrë që të krijohen modele të reja nëpërmjet të cilave fëmijët të kryejnë aktivitete rekreative, sportive dhe edukative. Kurse të ndërtosh, në konteksin e praktikave të ndërtimtarisë shqiptare të 25 viteve të fundit, është të nënshtrosh elementët natyrorë nga volume materialesh vullgare dhe rigjide. Sikurse në këtë rast ishte i pavendi, por, i kudogjënduri beton, i cili është një material ndërtimor që shfaq karakteristika të jashtëzakonshme për të krijuar ngrehina shumëkatëshe me aftësi të larta të qëndrueshmërisë mekanike. Por në asnjë rast nuk mund të përdoret në infrastruktura të tilla ku karakteristikat e tij nuk janë të nevojshme dhe rrezikojnë shëndetin dhe jetën e përdoruesve të tyre të vegjël. Po kaq i pavend dhe i pashëndetshëm është përdorimi i tapetit plastik, një ndotës vizual e mjedisor i pakonkurent, që asnjëherë nuk mund të zëvendësojë gjelbërimin natyror.
Mund të kisha vijuar me kundështimin: e materialeve të tjera të pavënda ardhur nga repartet e përpunimit industrial, apo; kompozimin arkitektonik (vendosjes së elementëve formues) shumë të gabuar e shpesh të rrezikshëm, por do të vetmjaftohem me kaq. Sepse mjaftojnë këto specifika për të thënë pa më të voglën mëdyshje se këndi i lojrave për 200 mijë fëmijë të Tiranës që na u “dhurua” nga Kryebashkiaku Veliaj nuk është gjë tjetër vecse një vragë e shëmtuar por edhe e rrezikshme në fytyrën e bukur të Parkut të Liqenit. Një vragë që na turpëron të gjithëve përsa nuk mundëm ta bllokojmë përpara se të ndërtohej, për të shkatëruar ekzistencën e një nga të paktat hapsirat të gjelbërta e shoqërore që i kishte mbetur qytetit dhe na lejonte ta quanim veten qytetar. Turpëron, për së pari, komunitetin e arkitektëve dhe urbanistëve shqiptar. Pas vitesh ku shkenca e tyre është vrarë dhe dijet e tyre konsiderohen të pavlera, duket se dëshira për të kontribuuar intelektualisht për të mirën e qytetit është shuar përfundimisht. Nuk mund të gjej arsye tjetër për të “justifikuar” mungesën permanente të tyre atje ku nevoja për ta dhe aftësitë e tyre janë domosdoshmëri. Turpëron, gjithashtu, rrjetin e aktorëve të shoqërisë civile. Jo vetëm nga ana sasiore, sepse ishte minimale në fillesë dhe u zvogëlua akoma më shumë në vijim të kundështisë, por më së shumti nga ana cilësore. Sepse, startoi si furtunë e kundështisë qytetare, vijoi si betejë ligjore dhe u përmbyll si shantazh për financime projektesh në përfitim të drejtuesve të saj.
Turpëron edhe opozitën. Ajo vegjetoi për tre vjet ndërsa Rilindja Urbane nuk la nen ligjesh pa shkelur në projekte të kota dhe joefektive urbane. Por u ngrit në mbrojtje të pesë pemëve të prera te Parku i Liqenit pa kuptuar se prerja e pemëve ishin e keqja më e vogël e këtij projekti, dhe se ky projekt ishte e keqja më e vogël e qeverisjes së Rilindjes Urbane. Pyetja për të është: a do shkrihet Pd, sikurse Kryetari ka premtuar, tani që vraga pushtoi fytyrën e Parkut? Turpëron, gjithashtu, edhe Kryeministrin artist që ka tre vijet që shfaqet publikisht si ‘il Grande Duce’! Ai vërtet nuk ka një ‘Koracatë Roma’ dhe askush nuk pret të sillet si Ducja me Terasinin e ‘Portit Viktor’, porse lëvdatat që i dha këtij shëmtimi e bëjnë bashkëpuntor e bashkëfajtor në shkatërim. Turpëroi edhe prokurorinë e gjykatat. Me aq shumë prova që ju dhanë, me dashje apo pa dashje: nga aktorët e shoqërisë civile; opozita; bashkia; qeveria, duhet të jesh plotësisht inekzistent që të mos reagosh. Vërtet vraga nuk është simboli i shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët shqiptar, por është më evidentja. Provat janë aty, 700 milion, të betonuara. Dhe së fundi, turpëroi prindërit që i cojnë fëmijët te “lodrat e Erit”. I turpëroi sepse vërtetoi nivelin e ulët të përgjeshmërisë së prindit shqiptar ndaj fëmijës së tij. A mund t’ja rrezikosh shëndetin fëmijës tënd, në një kurth të madh prej betoni, vetëm se atë e ka ndërtuar “partia jote”!? Kurrsesi jo! Mirëpo, në këtë vendin tonë, ku partia është më e rëndësishme jo vetëm se Shqipëria por edhe se fëmija, ndodh edhe ky turp.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017