REPUBLIKA E FASADAVE. Mapo, 17.11.2014.

Thonë se kur njeriu nuk di cfarë të bëj dhe i duhet të bëj domosdoshmërisht dicka , ripërsërit atë që ka bërë edhe më parë. Vecanërisht atë që mendon se e ka bërë më mirë se cdo gjë tjetër apo atë që mendon se e ka projektuar, atë vet, si fitimtar në sytë e publikut të tij. I shkëputur totalisht nga Partia Socialiste, që do të thotë në mungesë të dimensionit professional dhe burokratik të kësaj partie, dhe në mbështetje të ideve “pa ide” të programit të tij qeverisës prej 406 fjalësh në multi-sektorin e zhvillimit të territorit, z. Rama prej një viti po përsërit vetveten. Po përsërit, në rolin e Kryeministrit, atë që mendon se e ka bërë më mirë dhe e ka projektuar, atë vet, si fitues në sytë e shqiptarëve, në kohën kur ka qënë Kryebashkiak i Tiranës. E kam fjalën për lyerjen e trefaqeve të dukshme të fasadave të pallateve fasadë të akseve rrugore kryesore të Tiranës. Megjithëse këtyre pallateve tashmë u ka dal shkëlqimi i bojatisjes së një dekade më parë dhe shfaqen më të mjeruara se në atë kohë, duket se z. Rama e ka ndarë mëndjen ta injektoj këtë dimension të Tiranës kudo nëpër Shqipëri. Mirëpo, me një ndryshim në procesin e projektimit dhe menaxhimit. Nëse kur ishte Kryebashkiak, i sillnin kopje të fasadave dhe ai i ngjyroste duke prodhuar projektin që më tej duhej të zbatohej me besnikëri të plotë në objekt, tani nuk ndodh më kështu. Tani ai thjesht tregon me gisht objektin në Tiranë, që duhet duhet të përdoret si projekt për një objekt tjetër në një qytet tjetër të Shqipërisë.
Mirëpo, përtej dimensionit qesharak, ky projekt urban i shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë shfaq edhe problematika shumë të rënda. Për të cilat do preferoja të flisnim sot. Në koshiencë të plotë të faktit se jam duke përsëritur veten, nuk mund të ri pa thënë se ky project urban, sikurse shumë të tillë të ndërmarra vitin e fundit, është në kundështi të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. C’ka, si ngjarje e izoluar, nuk është një gjë e mirë. Porse kur përsëritet e ripërsëritet, kthehet në mentalitet qeverisës, dhe të drejton në stabilizimin e një qeverisje autoktatike. Në stabilizimin e një qeverisje personale (të një individi) që asfikson deri në mbytje proceset e domosdoshme decentralizuese. Dhe kjo është një gjë shumë e keqe. Nuk jam duke folur për aspektin teorik, të parimit demokratik të subsiaritetit apo të procesit demokratik të decentralizimit. Jo. Jam duke folur për dimensionin praktik të aplikimit të të drejtave individuale e qytetare të një komuniteti. Të një komuniteti local që vendos vet se cfarë duhet bërë specifikisht që qyteti i tyre specifik të jetë më mirë i jetueshëm. Por ta lëmë demokracinë e të vijmë te logjika e thjeshtë njerëzore. Si mundet të besohet që projekti më i mirë për të gjitha qytetet, të jetë i njëjti projekt? Nuk bën kuptim! Qytetet kanë specifika të ndryshme. Nevoja të ndryshme. E vetmja nevojë e njëjtë, është planifikimi urban. Në fund të të cilit mund të kuptosh se kush janë nevojat prioritare për cdo qytet më vete.
Mirëpo, Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban nuk e di këtë. Nuk ka kush t’ja thotë. Sepse, nëse do të donin të bënin dicka productive për qytetet, duhet të financonin hartimin e planeve vendore të territorit të tyre. Por edhe sikur Ministrja ta dinte, kush e pyet atë për cështje urbane?! Ne kemi Kryeministrin jo vetëm ekspert senjor të urbanistikës por edhe të tregut të pasurive të paluajtshme. Ky është aq sigurt që vlera e apartamenteve do të ngrihet pas këtij projekti, saqë nuk pranon të kuptojë se tregu ka rregullat e veta dhe nuk varet nga qëndrimet politike. Se në një treg të lirë cmimi negociohet midis kërkesës e ofertës dhe nëse kërkesa ngelet e njëjtë, rrihte sa të duash ofertën ti, nuk ndodh asgjë. Thjeshtë nuk të shitet. Ka edhe një gjë tjetër që nuk po arrin ta kuptojë Kryeministri. Nuk po kupton se pallatet që po ju lyen fasadat kanë 30 – 40 vjet pa mirëmbajtje, rinovim e modernizim. Cka është shumë kritike dhe jetike për to. Këto objekte qëkur janë ndërtuar kanë pasur problemet e tyre, për shkak të politikave ndërtimore, teknologjive apo materialeve të ndërtimit të përdorura në to. Po t’i shtosh këtu edhe moshën që kanë mbi shpinë? Keq na del llogaria. Akoma më keq është puna po të kuptojmë modernizimin që ka pësuar shkenca dhe praktikat ndërtimore përgjatë kësaj kohe dhe nevojën e këtyre ndërtesave për tu update-uar apo “sjellë në ditët tona”. Vecanërisht dhe specifikisht në kontekset e ndryshimeve klimaterike që po pëson bota.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017