IMOBILIARET NË PIKIATË!!! Mapo 14.12.2012

Raportime, analiza, dhe opinione kanë mbushur kohët e fundit faqet e shtypit të shkruar, dhe jo vetëm ato, mbi krizën në fushën e ndërtimit dhe pasurive të patundshme. Mendime dhe shikime të ndryshme por që mbështeten në një fakt konkret, empirikisht të matshëm, atë të krizës në sektorin e ndërtimit të banesave. Sepse, më duhet ta them që në fillim, kemi të bëjmë me një krizë, përgjithësisht, të sektorit të ndërtimit të banesave dhe jo të ndërtimit në total. Megjithëse janë investime publike, ky sektor ndërton edhe sistemin rrugor kombëtar e lokal. Sistemet e kanalizimeve dhe ujësjellsave apo rrjetet e tjera të infrastrukturës inxhinierike apo sociale. Fabrika prodhimi, magazinimi apo objekte të tjera ekonomike. Biles edhe hotelet, baret, kafeteritë, restorantet e pabet luksoze. Sidoqoftë, ndërtimi i banesave ishte komponenti më i sukseshëm i kësaj industrie, në vitet 1995-2008. Dhe është e kuptueshme, rënia e një elementi (sidomos më i rëndësishmi) sjell implikim të të gjithës. Për të kuptuar më mirë arsyet e rënies së sektorit të ndërtimit të banesës duhen, për së pari, identifikuar konteksi dhe arsyet e prosperimit të tij. Thyerja e madhe e vitit 1991 i gjeti shqiptarët qiramarrës, nga shteti, të apartamenteve që vet kishin ndërtuar me punë vullnetare apo sipasojë e punës së keqpaguar në sektorë të tjerë. Ndërsa, një pjesë e vogël e shqiptarëve, banesat e të cilëve ishin ndërtuar para vitit 1944, kishin në pronësi vetëm muret dhe tavanet sepse trualli ku vendoseshin banesat ishte pronë e shtetit. Lëvizjet migratore ishin totalisht të kontrolluara, sidomos pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1967. Kjo sillte një shpërndarje të forcuar të popullsisë në territor dhe, gjithashtu, të fondit të banesave. Një element tjetër, konteks formues, ishte edhe niveli i ulët i urbanizimit. Zonat rurale përmblidhnin rreth 74 % të popullsisë. Pas vitit 1992 qeverisja e djathtë ndërmorri, nën frymën neo-liberale, një sërë reformash privatizuese. Rezultati, disa qindra mijë individë/familje shqiptare u kthyen në pronare të banesave, ndërtesave dhe trojeve në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, u krijua kuadri ligjor dhe institucional për funksionimin e tregut privat të tokës dhe ndërtesave (përfshirë banesat) dhe për sanksionimin e inisiativës private/sipërmarrëse. Tashmë pronarët ishin të lirë të shisnin –blinin apo shkëmbenin pronat e tyre në tregun e lirë të formuar. Zinxhirët e vendndodhjes së detyruar (pashaportizimi) u këputën dhe shqiptarët u gjendën të lirë të imigronin kudo nëpër Shqipëri apo edhe të emigronin nëpër botë, me synimin legjitim për një jetë më të mirë. Ky ishte konteksi, të paktën i përgjithësuar.
Por kush ishin arsyet? Së pari ishin kulturore. Për shqiptarët ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes të mos posejdonin banesën ku jetonin. Një shprehje thotë: “pa shtëpi je askush, zëre se nuk je ” dhe për shqiptarët nuk kishte si ndodhte ndryshe. Së dyti ishte nevoja. Stoku i banesave ishte, si nga ana sasiore edhe nga ana cilësore, i mjerë. Diktatura kishte menduar për bunker, por jo për banesa. Lëzijet e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane dhe nga qytezat drejt qyteteve të mëdha, disafishonin këtë nevojë. Së treti ishin mundësitë financiare. Dhe këto ishin të shumëllojshme. Të ardhurat e fituara nga shitja e apartamenteve të privatizuara ishin një bonus i madh për këdo që aspironte për një banesë të re, moderne apo më të madhe. Ekonomitë dhe ndërmarrjet e vogla po zhvilloheshin, ato po siguronin kapitale për familjet, të cilat për së pari do përmirësonin kushtet e banimit. Emigracini masiv në perëndim, gjithashtu, kontribuoi financiarisht. Emigrantët ndërsa paguheshin si në Evropë jetonin si në Shqipëri. Me diferencat ndihmuan familjarët në atdhe apo investuan për një banesë në rast kthimi. Një e keqe e madhe që shoqëroi ecjen e shoqërisë shqiptare në këto vite ishte korrupsioni. I shtrirë me bazë shumë të gjerë ai i siguroi një kaste nënpunësish të nivelit të dytë e të tretë mundësinë për të investuar në blerje apartamentesh, të cilat ishin lehtësisht të padukshëm. Së katërti, kuadri ligjor rregullues. Rregullimet për inisiativën e lirë dhe sipërmarrjen mundësuan ngritjen e shumë ndërmarrjeve të vogla e të mesme për ndërtim. Dhe së fundi, kompromisi për të injoruar totalisht planifikimin. I tradhtuar nga të gjithë, planifikimi kaloi në mos ekzistencë dhe lejoi zhvillime të shpejta, vetëm sipas kërkesës së keqorientuar të shqiptarëve në treg. Dhe këto ishin arsyet, të paktën nën një shikim të opinionit. Urbanistika, në dimensionin shkencor të saj, përcakton nevojën e një qyteti për banesa të reja në dy aspekte. Së pari, rritja natyrore e popullsisë, që nënkupton diferencën midis lindjeve dhe vdekjeve të popullsisë së një qyteti dhe, së dyti, rritjen mekanike, që nënkupton lëvizjet e popullsisë nga një territor administrativ-politik drejt një tjetri. E para shkon, të paktën teorikisht, në përpjestim të drejtë dhe shkrehet në përqindje, e dyta varet nga konteksi politik, ekonomik dhe në mënyrë të vecantë social.
Në diktaturën komuniste, duke përjashtuar rastet e krijimit të qyteteve të reja industriale, rritja mekanike tentonte zeron. Sidoqoftë, ajo ishte totalisht e kontrolluar. Prishja e konteksit politik, ekonomik dhe social solli edhe rënien e kontrollit mbi këtë aspekt duke e kthyer atë në aspekt dominues. Ndërsa rritja natyrore shkonte në vijë të drejtë, rritja mekanike shkonte në kurbë, dhe duhet thënë, në kurbë shumë të fortë. Por, kurbat, sikurse kanë një ngritje të fortë kanë edhe një rënie të tillë. Ndodhi e pritshmja. Integrimi i shqiptarëve solli një qasje të re të tyre, kulturalisht, në lidhje me marrdhënien me banesat ku jetojnë. Nevoja për banesa të reja u zvogëlua në vite ndërsa ndërtoheshin pafund e kontroll të tilla. Emigrantët, tashmë prej vitesh si të tillë, nuk kishin më aspiratat e fillimit. Ata u integruan kulturalisht dhe ekonomikisht. Biles, përtej perceptimit, edhe të ardhuarat e korrupsionit dhe struktura e tij nuk janë më si shtatë vite më parë. Të gjitha këto arsye të rritjes së sektorit ranë apo u limituan dhe, kështu, ra sektori i ndërtimit të banesave. Rënia ishte e pashmangshme dhe e parashikuar vite më parë. Krizat, të vëzhguara në një këndvështrim më të gjerë, nuk janë produkt i kohës kur shfaqen. Ato, sikurse sëmundjet në trupin e njeriut, e kanë fillesën shumë kohë më parë. Rruga e shoqërisë, sikurse edhe ajo e shkencës, nuk është një vijë e drejtë por me zigzake. Diktatori e kishte gabim kur thoshte ‘shkojmë nga fitorja në fitorje’ sepse njerëzimi shkon nga humbja në humbje. Dhe humbjet shërbejnë për një fillim të ri. Prandaj, bisnesi i ndërtimit të mos shqetësohet për gabimet e të kaluarës që produktuan këtë realitet, por, të ristrukturojnë ndërmarrjet e tyre dhe ti përvishen punëve të tjera publike, për të cilat komuniteti ka nevojë dhe paguan.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017