DISA PIKËPYETJE MBI KONKURSIN NDËRKOMBËTAR ‘LUNGOMARE’. Mapo, 25.02.2014

Prej shumë javësh qeverisja kombëtare po zbaton një projekt lokal, prishjesh masive të ndërtimeve me dhe pa leje, në zonën bregdetare të jugut të Shqipërisë. Prishjet janë justifikuar me argumentin se pengojnë implementimin e një sërë projektesh të turizmit bashkëkohor. Por në asnjë rast, përtej retorikës, nuk janë shfaqur për publikun projekte konkrete që të justifikojnë këto aksione në territor. Të paktën deri në 21 shkurt, kur me organizimin e saj, u zhvillua konkursi ndërkombëtar ‘Lungomarre’në Vlorë. Në konkurs garuan propozimet e pesë studiove të përzgjedhura më parë nga 47 që ishin paraqitur me punime. Fituesi u shpall të njëjtën ditë nga një juri ndërkombëtare. Por, ndërsa që kemi një propozim fitues, c’ka është një gjë e mirë, kemi gjithashtu edhe një set pikëpyetjesh të cilat ngrihen mbi këtë konkurs ndërkombëtar, c’ka është një gjë e keqe. Duket se qeverisja kombëtare nuk e vrau mëndjen të jepte disa shpjegime publike. Për së pari, nuk ju sqarua publikut, i cili ka paguar për këtë konkurs dhe do të paguaj për implementimin e këtyre propozimeve fituese, se pse konkursi duhet të ishte ndërkombëtar? Nuk mund të ishte kombëtar? Nuk kemi urbanista shqiptar? Apo ata janë të paaftë për një përgjegjësi të tillë? Publiku shqiptar, shumë i interesuar për ngjarje të tilla projektuese nuk e mori një informacion të tillë. Sidoqoftë, nuk ishte kjo e vetmja pikëpyetje mbi legjitimitetin e konkursit.
Nëse do të qëndrojmë në kuptimin e koncetit ‘legjimitet’, duhet thënë se shoqëria shqiptare organizohet dhe funksionon, mbështetur në paradigmën e demokracisë përfaqësuese. Pra populli, ja ka kaluar trajtimin dhe vendimmarrjen mbi disa cështje dy trupave qeverisëse. Të cila ose i ka zgjedhur në mënyrë të dretpërdrejt, sikurse është rasti i qeverisjes lokale, ose nëpërmjet përfaqësuesve të vet në Kuvend, sikurse është rasti i qeverisjes kombëtare. Dhe në mënyrë që këto trupa të ushtrojnë aktivitetet e tyre qeverisëse, populli nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Kuvend, ka miratuar ‘kontratën sociale’. Pra, Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dhe qeverisjet janë të detyruara të veprojnë në përputhje me to. Mirëpo, në rastin e këtij konkursi, qeverisja kombëtare nuk i tha publikut se mbi cilën pjesë të kësaj ‘kontrate sociale’u bazua për organizimin e tij? Sepse duhet thënë se Republika e Shqipërisë nuk ka asnjë ligj që të rregullojë një veprimtari të tillë qeverisëse. Duhet thënë, gjithashtu, që Republika e Shqipërisë ka dy ligje që ndajnë përgjegjësitë qeverisëse për secilin nivel. Dhe ajo që populli ka vendosur, nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Kuvend, është se detyra e administrimit të territoreve lokale është e qeverisjes vendore. C’ka na drejton në një pikëpyetje tjetër. Mos vallë qeverisja kombëtare, duke trajtuar cështje të tilla të menaxhimit territorial lokal, ka kaluar kufijtë e kompetencave që i janë dhënë? Qeverisja kombëtare nuk ja bëri të qartë publikut mbi c’bazë ligjore kreu një aktivitet të tillë, por shumë kush e kupton se konkursi ndërkombëtar u zhvillua në mungesë të plotë bazueshmërie ligjore. Në të njëjtën konteks jashtëligjore u gjend edhe Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Sepse, duhet thënë, se Republika e Shqipërisë e ka një ligj që rregullon fushën e planifikimit të territorit, në të cilin përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e këtij institucioni kombëtar. Por asnjëra prej tyre nuk përkon me detyrat që kreu Drejtorja apo stafi i saj, përgjatë këtij konkursi. Ligji, gjithashtu, përcakton se kush janë llojet e instrumentave të planifikimit të territorit, por vështirë të gjenden ngjashmëri të llojit të përkufizuar në ligj me ato të konkursit.
Koncepti ‘garë’ nuk ka kuptim pa rregulla të njëjta për të gjithë konkuruesit. Kështu që, të paktën në dimensionin formal të paraqitjes grafike apo të shkruar të propozimeve duheshin vendosur disa kushtëzime të njëjta për të gjithë. Kështu duhet të jetë në një garë, mirëpo, ajo nuk ishte garë. Ajo ishte thjesht një shfaqje që konsumoi më shumë kohë për t’i treguar publikut se sa të famshëm ishin antarët e jurisë dhe konkurentët sesa koha e ekspozimit të propozimeve konkuruese. Në ndihmë të këtij kuptimi publik ndihmoi shumë edhe mikëpritësja e kësaj shfaqje. Jo vetëm me performancën e saj artistike por edhe në mënyrë të drejtpërdrejt. Kur i ftonte konkurentët të dilnin ‘në skenë’. Nga kjo shfaqje u cuditën edhe konkurentët. Të cilën në mbrojtje të emrit të tyre ndërkombëtar i bënë të ditur tre gjëra, popullit shqiptar. Së pari, se paraqitja e tyre në këtë konkurs kushtëzohej shumë nga koha e shkurtër që kishin në dispozicion. Dhe në këtë pikë qeverisja kombëtare duhet ti thotë publikut, kush ishte axhaleja e një nxitimi të tillë? Së dyti, se projektime të tilla nuk mund të bëhen pa planifikuar më parë në një shkallë më të gjerë. Dhe për këtë, qeverisja kombëtare duhet ti thotë publikut se, pse më parë nuk investoi në hartimin e planit vendor të bashkisë Vlorë apo të qarkut Vlorë? Dhe së treti, se në projekte të tilla është e detyrueshme përfshirja dhe angazhimi i qytetarëve. Për këtë, qeverisja kombëtare, duhet të thotë shumë gjëra.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017