Monday, January 15, 2018

KONCENTRIMI I POPULLSISË NA MBAN NË VARFËRI! Mapo, 15. 01. 2018



Edhe pas 27 vjetësh në tranzicion politik e ekonomik shoqëria shqiptare vijon ti mbështesi synimet për prosperitet ekonomik te investimet e huaja. Në fakt, dy ndërmarjet që kanë shërbyer si një serum për ekonominë kombëtare në qeverisjen e fundit, TAB dhe kaskada e Devollit, janë investime të huaja. Mirëpo edhe këto trashëgohen nga qeverisje të mëparshme, cka e pozon këtë pritshmëri shoqërore në pikëpyetje për të ardhmen. Në 5 vitet e fundit nuk është tërhequr asnjë investim i huaj i qënënsishëm, dhe ky fakt duhet ta shkundi elitën drejtuese të vendit. Ndërkohë, burimet potenciale për investime zvogëlohen dhe investitorët po orientohen në përzgjedhjen për të investuar ato vende që ofrojnë kombinimin më të favorshëm të potencialit, stabilitetit dhe klimës së bisnesit. Të paktën kështu na thonë ekonomistët, ndërsa na shpjegojnë se asgjë nuk do ndryshoj në ekonomi po nuk u rrit niveli i stabilitetit politik dhe përmirësua qasja ndaj bisnesit.
Nga ana tjetër, serumi i vërtetë i mbijetesës të shoqërisë shqiptare në këto vite kanë qenë remitancat. Të larguarit nga vendi për një jetë më të mirë në emigracion, për 27 vjet, janë angazhuar t’ju dërgojnë para’ të afërmve dhe familjarëve të tyre në Shqipëri. Në ndryshim nga investimet e huaja që kanë qenë zero në këto pesë vitet e fundit, remitancat kanë sjellë pothuajse 3 miliard euro për ekonomitë familjare shqiptare. Shumë e konsiderueshme kjo për ekonominë kombëtare, por gjithësesi në rënie evidente krahasimisht me vitet e para të këtij tranzicioni. Emigrantët tashmë janë stabilizuar dhe integruar në vendet ku kanë emigruar, dhe në këtë kuptim kostot e tyre të jetesës janë rritur duke zvogëluar edhe dërgesat për të afërmit. Mirëpo, edhe këto para’ që kanë hyrë në Shqipëri në këto 27 vjet janë përdorur, përgjithësisht, për konsum (ushqime e ilace) dhe për banesa dhe shumë pak kanë ndikuar në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Aspekti i tretë që do të doja të prekja është edhe cudia më e madhe që ndodh në ekonominë shqiptare. Ndërsa pritshmëritë i vendosim te investimet e huaja ekonomia shqiptare gjendet në një paradoks me të cilin nuk përballen vendet e tjera në zhvillim të ngjashme me të. Referuar ekonomistëve më të mirë të vendit, nëse në këto vende mungon likuiditeti, Shqipëria vetëm në sistemin bankar ka 3.5 miliard euro të fjetura! Sot raporti midis kredisë dhe depozitave është 47%, në një kohë kur në këto vende tejkalon 100% (Kroacia e ka 152%). Për të mos folur për paratë që largohen cdo vit drejt vendeve që dinë ti investojnë, dhe që nuk janë pak. Vetëm në vitin 2016 janë larguar 700 milion euro (6% të GDPs), ndër to edhe 400 milion dollar remitanca që shqiptarët nuk kanë zgjedhur ti konsumojnë por ti kursejnë, apo 221 milionë euro në formën e pagesave të dividendëve dhe interesash të investitorëve të huaj përgjatë 9 muajve të parë të 2017.
Variabla e fundit na vjen nga dijet shkencore të grumbulluara për ekonominë e vendeve në zhvillim sikurse është Shqipëria. Ekonomistët po na paralajmërojnë se niveli i remitancave do të zvogëlohet ndjeshëm, bile ka filluar të zvogëlohet prej disa vjetësh. Ato nuk do të shterojnë si pasojë e integrimit të emigrantëve, sikurse logjika e thjeshtë na bën të besojmë, por do të përgjysmohen dhe do të ndryshojnë tipologji. Studimet në vendet të tjera tregojnë se remitancat kalojnë në dy cikle. Nëse në ciklin e parë (20-22 vitet e para të tranzicionit) ato shfaqen masive dhe shkojnë kryesisht për konsum dhe banim, në ciklin e dytë (20-35 vitet e dyta) ato përgjysmohen dhe shkojnë për investime. Mirëpo, të njëjtat njohuri teorike na tregojnë se kjo nuk mund të ndodhi rastësisht dhe që ky kapërcim pozitiv të ndodhi duhet që edhe ekonomia e vendit pritës të ketë efektiv modelin ekonomik që do ti konvertojë këto kapitale në investime.
Në të kundërt, ne jo vetëm jemi shfaqur të paaftë të tërheqim investime të huaja apo të investojmë kursimet tona, porse edhe pas 27 vjetësh nuk kemi akoma gati modelin për ciklin investues të remitancave (përfshirë investime të huaja potenciale). Për këtë hipotezë të faktuar, padyshim ndikojnë arsyet që na japin ekonomistët, por shkaktari dominues është modeli i shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar. Ne kemi braktisur burimeve natyrore për të imigruar në pak qytete të zonës qëndrore dhe perëndimore të Shqipërisë, pa kuptuar se ekonomia rritet nëpërmjet prodhimit, dhe kjo ndodh kur bashkohen tre burimet bazike të rritjes: burimet natyrore e territoriale; burimet njerëzore; dhe burimet financiare! Prandaj, përsa kohë do ngujohemi në koncentrimin urban Durasanë, burimet natyrore e territoriale do vegjetojnë dhe ato financiare do shkojnë atje ku dinë ti respektojnë, ndërsa varfëria jonë do marrshoj drejt mjerimit.  



Friday, December 22, 2017

DURASANA PËRFORCON MODELIN TONË SHOQËROR DHE POLITIK! Mapo, 05. 01. 2018

Një nga të pavërtetat që na është servirur këto kohë, është teza se qytetet tona janë të pajetueshme si pasojë e ‘betonizimit’. Kjo zëvendësoi tezën e ‘kjoskëzimit’, sipas së cilës fajin për gjendjen urbane e kishin kjoskat. Rënia e kësaj teze dhe niveli i lartë i partishmërisë bi-partizane në gjykimin shoqëror, solli dhe konsolidoi tezën e ‘betonizimit’ të qyteteve apo ndryshe ‘pallatet e shumta dhe voluminoze që u lejuan të ndërtoheshin’. Mirëpo, ndryshe nga teza e ‘kioskëzimit’, këtë të dytën nuk mund ta testojmë dot në praktikë! Ajo që na mbetet është teoria, dhe teoria na thotë se nëse do të kishim ndjekur rrugën shkencore të lejimit të zhvillimit sipas një seti hirearkik planifikimesh, pallatet nuk do e kishin prodhuar gjithë këtë dëm urban. Në fakt ne lejuam zhvillimin e fragmentarizuar, ku vendimarrësit lejonin ndërtimin e një pallati në oborret e 2-3 pronarëve pa e vrarë mëndjen për cfarë do ndodhte me gjithë bllokun e banimit.  
Kjo metodë zhvillimi udhëheq, përvecse në mjerim urban, edhe në dy kosenguenca logjike e praktike: mungesë të hapsirave shoqërore; dhe atomizim të shoqërisë. Mungesa e hapsirave të përbashkëta e limiton aktivitetin njerëzor vetëm në dy marrdhënie hirearkike: atë të punës; dhe atë të familjes, duke penguar krijimin e grupeve shoqërore me interesa të ngjashme. Kurse, atomizimi social copëton deri në individuale interesat shoqërore dhe kërkesat që i drejtohen politikës. Kështu shoqëria konvertohet nga një rrjet grupesh e interesash në një kope individësh e familjesh, secili me interesa individuale dhe familjare ndaj vendimarrjes administrative dhe asaj politike. Në përgjigje të kësaj strukture, klasa politike e orientoi diskursin në dy lojëra gjuhësore: individuale në kafene (premtime për vënde pune, tendera dhe koncensione); dhe populiste nëpër mitingje (premtime larg nevojave reale shoqërore dhe mundësive konkrete të buxheteve publike).  
Kështu u ndërtua marrdhënia e përfaqësuesit me të përfaqësuarit përgjatë proceseve të kalimit të legjitimitetit politik, dhe ishte kjo që ndërtoi modelin tonë social e politik. Legjitimitet që kalohej bazuar në vënde pune në administratë, tendera dhe koncesione për ata që dijnë të bëjnë “bisnes” me përfaqësuesit e tyre dhe anekdoda populiste për naivët idealistë që besojnë qorrazi te partia e “tyre” dhe te uniteti i celiktë rreth kryetarit të saj. Rreth këtij modeli politik u zhvillua gjithë organizimi dhe funksionimi i shtetit dhe shoqërisë. Shteti përbëhet nga: administratorë të lartë dhe politikanë që mundohen të fitojnë sa më shumë nga vendet e punës në administratë, tenderat e koncensionet; dhe zyrtarë injorantë që mundohen të mbrojnë rrogën që kanë duke përmbushur cdo kërkesë të ‘shefit’. Kurse, shoqëria segregohet në: oligarkë që tentojnë të gllabërojnë sa më shumë nga pasuria kombëtare; dhe mjeranë e të papunë që synojnë mbijetesën për të nesërmen.
Nga na tjetër vepron e kaluara politike e vendit. Regjimi komunist në Shqipëri kishte tipare dhe karakteristika më të theksuara se vendet e tjera të bllokut socialist si: mungesë totale të mendimit pluralist; ideologjizim dhe mobilizim të gjerë të popullsisë; dhe udhëheqës të gjithëpushtetshëm pa kufij sundues të përcaktuar. Ishin këto karakteristika dhe tipare që ndikuan në formësimin e modelit politik të Shqipërisë post komuniste. Megjithëse synuam një demokraci, ajo që kemi mbërritur është vecse një liderokraci. Dhe liderokracia kërkon lidera të mbifuqishëm partiak të cilët prodhojnë gjithcka politike: idetë, diskursin, veprimin, luftën apo konsensusin me kundështarin. Ky lloj lideri nuk ka nevojë për bashkëpuntorë politik të cilët gjithashtu prodhojnë produkte politike. Ai ka nevojë për mbështetësa dhe dishepuj, të cilët edhe kur tolerohen apo delegohen të dalin në media apo tribuna të tjera publike, përsërisin qëndrimin politik të liderit. 
Ndërsa liderat partiak kthehen në udhëheqës të gjithëpushtetshëm dhe dishepujt e tyre marrin në dorë fatet politike, sociale dhe ekonomike të vendit, shoqëria nuk ka shpresë tjetër vecse të konkuroj në këtë model të vetëm shoqëror me strukturë të vetëm partitokracinë. Kështu të gjithë i afrohen qëndrave më të mëdha urbane ku ka dicka për të ndarë nga vendet e punës në shtet, paratë, pronat, tenderat dhe koncensionet publike. Nga ana tjetër, është ky koncentrim popullsie që shton konkurencën e individit për tu kthyer në dishepuj të udhëheqësit. Këtu kemi hyrë në një cikël vetpërsëritës dhe vetstimulues që përforcon modelin tonë shoqëror prej katër “klasash”, dhe modelin tonë politik të oligarkisë sunduese. Produkti i gjithë kësaj është realiteti i sotëm: kryetarë partish që tejshtrijnë pushtetin; oligarkë që shtojnë pasurinë; dishepuj apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën; dhe masa që shkojnë nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm. 

‘TË PASTROJMË SHQIPËRINË’ NË NJË DITË APO NË GJASHTË MUAJ?! Mapo, 25. 12. 2017

Qasja majtiste ndaj problemit të madh urban të përpunimit të mbetjeve të ngurta, u shfaq që në javët e para të qeverisë Rama 1. Ishte ministri Veliaj, nëpërmjet thirrjes së tij ‘ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë’, që na risolli kuptimin e majtë mbi trajtimin e cështjeve urbane dhe mjedisore. Nuk do ti kthehem cështjes se cfarë më kujtoi kjo nisëm nga koha e fëmijërisë time, por do prek dy cështje bazike. Së pari, synimin e nismës për të sfumuar një ngjarje madhështore politike në vend. Atë të 15 nëntorit 2013, ku shoqëria shqiptare tregoi se ekzistonte dhe u mblodh për të kundështuar vendimin okult të qeverisë për importin e mbetjeve kimike Siriane. Dhe së dyti, synimi që shtrihet në kohë sikurse cdo gjë kulturore, ‘krijimi i njeriut të ri socialist që punon për të mirën dhe pronën e përbashkët’ që në të vërtetë nuk është e askujt. Gjë që tentohet të arrihet nëpërmjet armëve kryesore kolektiviste: populizmit, demagogjisë dhe centralizmit.
Nëse i kthehemi asaj kohe, qeveria Rama i kishte përdorur këto armë përpara se të votohej në Kuvend. Në fillim duke na vënë përpara dyshimit nëse do drejtohemi nga një qeverisje demogogjike apo një e centralizuar, dhe më tej duke na dhënë prova se do i mishëronte të dyja këto karakteristika. Mirëpo, do ishte kjo nismë e ministrit Veliaj që do ta kornizonte atë si një qeverisje të demagogjisë së centralizuar. Vet fakti se, detyrën e agjitatorit të pallatit që thërriste cdo të djelë njerëzit për të pastruar oborrin e kishte rrëmbyer  ministri, dhe se funksionin e ministrit të mjedisit e kishte pushtuar ministri i rinisë, e argumenton shterueshëm këtë pohim. Ndërsa vulën e dështimit, kësaj nisme, do ja vinte z. Rama në takimin ku prezantoi ‘operacionin kombëtar të “Pastrojmë Shqipërinë që duam” për 6 muaj’. Mirëpo, pa na shpjeguar më parë se kush ishte diferenca midis këtyre dy aksioneve që do të siguronte shkakun për sukses të së dytës.
Në fakt ato ngjajnë si dy pika uji në filozofinë dhe parimet në të cilën mbështeten, prandaj dështimi i së dytës është po aq i sigurt sa i së parës. Vendimi i Kryeministrit se ‘…dhe një pjesë e konsiderueshme e inspektimit, edhe për mjedisin, do t’i kalojë Policisë së Shtetit’ nuk ndryshon fundin pafrut të këtij “operacioni”, por vecse thekson karakterin policor të qeverisjes së tij. Aq më pak nuk mund ta suksesojë uniteti bolshevik i‘… mirëkuptimit të plotë me të gjithë kryetarët e bashkive….pa përjashtim’! Ky është vecse një argument pro tezës se po qeverisemi në mënyrë të centralizuar nga Kryebashkiaku i Republikës dhe 61 drejtorët e tij. Mirëpo nga ana tjetër , z. Rama ka të drejtë kur thekson se 'Në cështjen e plerave nuk ka parti. Të gjithë duhet të jemi kundër tyre'. Sigurisht që jemi të gjithë kundër! Vecse edhe për rrugët e trajtimit të kësaj cështje, sikurse për cdo problematikë urbane, ka një diferencë të madhe midis dy kaheve të politikës! 
Të majtët si z. Rama dhe kryebashkiakët që dhanë mirëkuptim të plotë për “operacionit” të tij, e trajtojnë me konferenca e takime demagogjike; me shfaqje teatrale e populiste të ministrave e drejtorëve; me dhunë policore ndaj qytetarëve “pisanjos”; me sulm taksidarësh ndaj taksapaguesve dhe me aksione ineficente të goditjeve të përqëndruara. Produkti i të cilave është i qartë, historikisht prej 100 vjetësh për gjithë qytetarët e botës, dhe memorikisht prej 5 vitesh për gjithë shqiptarët, përfshirë z. Rama. Ato thjeshtë, harxhojnë para’ nga buxheti publik; varfërojnë me taksa e friksojnë me gjoba qytetarët; thellojnë hendekun midis qytetarit dhe qeverisjeve, por e lënë gjendjen më keq sec e gjetën. Sepse ky problem nuk zgjidhet me shtrëngim policor, populizëm dhe demagogji mbi pastrimin e territorit, por me gjithëpërfshirje qytetare për ta mbajtur mjedisin pastër, dhe këtë e sigurojnë vetëm të djathtët nëpërmjet fuqizimit të qytetarit.
Të djathtët që ndërmarrin reforma decentralizimi funksionesh dhe fiskale. Cka i bën vendorët të përgjegjshëm për funksionet e veta qeverisëse dhe i mundëson atyre të financojnë përmirësimin e infrastrukturave bazike urbane për ti bërë qytetet atraktive për ata taksapagues që synojnë të tërheqin (qytetarë dhe bisnese), duke u prezantuar me specifikat dhe karakteristikat e qytetit dhe jo me uniformitetin ineficent të shesheve dhe fasadave të pallateve. Të djathtët që ndërmarrin nisma planifikuese gjithëpërfshirëse urbane. Ku qytetarët e përfshirë në vendimarrje e ndjejnë realisht se këto mjedise ju përkasin atyre dhe jo pushtetit që mund të ndërtojë ca pallate të tjera në to, dhe për këtë arsye i mbajnë pastër. Të djathtët që respektojnë bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit. Sepse kjo i bën qytetarët ti trajtojnë këto hapsira të përbashkëta sikurse banesat e tyre, dhe jo si pronësi të të gjithëve dhe të askujt sepse askujt nuk i njihen të drejtat e pronësisë mbi to. 

Monday, December 18, 2017

REAGIMI NDAJ PËRMBYTJEVE SI NJË TEST CIVILIZIMI. Mapo, 18. 12. 2017


Brockullat e elitës politike mbi përmbytjet, këtë javë, i lanë vendin ca të tjerave për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Vlerësuar nga pikëpamja e interesit publik asgjë nuk ndryshon dhe shoqëria shqiptare mbetet në udhëkryqin e zakonshëm, ku duhet të zgjedhi midis të mos bërit asgjë për të pritur përmbytjen e radhës, apo nxjerrja e mësimeve nga pësimet dhe të marri masa që “krimet natyrore” të mos na dëmtojnë kaq shumë. Nuk e di cilën rrugë do të zgjedhi shoqëria shqiptare, por shpresoj shumë të jetë kjo e dyta e cila starton me përcaktimin se kush janë fazat e reagimit të shoqërive të civilizuara, dhe kush janë rrugët që duhen ndjekur për suksesin e tyre.
Faza e parë ka të bëj me marrjen e masave përpara se shkaktari të ndodhi. Kjo bëhet për cdo lloj sulmi natyror, përfshirë tërmetet e zjarret, por në rastin e reshjeve është më e thjeshtë sepse ato mund të parashikohen. Pra, nëse në rastin e tërmeteve dhe zjarreve mund të parapërgatitemi vetëm duke përdorur teknika për zhvillime të planifikuara dhe të projektura në përputhje me dijen shkencore, në rastin konkret mund të reagojmë edhe brenda një sezoni. Na duhet thjeshtë të ndërgjegjësohemi që qeveria nuk është Zoti, dhe ti kthehemi praktikave që kemi përdorur për largimin e ujrave që nga koha e Skënderbeut (shembuj gjenden me lehtësi në fshatrat e Bregut).
Faza e dytë është përballja me sulmin natyror përgjatë kohëzgjatjes së tij. Sa më mirë të jemi investuar në fazën e parë aq më lehtë kalohet e dyta, edhe pse teknikat e përdoruara që nga mesjeta kanë evoluar shumë. Sidoqoftë as në këtë fazë qeveria nuk është Zoti, por si entiteti i vetëm i organizimit shoqëror ajo mban përgjegjësi për ato cështje që shoqëria i ka të përbashkëta. Pas mbrojtjes prej sulmeve nga shoqëri të tjera (ushtri), dhe nga individ të këqinj të shoqërisë tonë (polici), mbështjeta e civilëve nga sulme të tilla është funksion bazik qeverisës. Kështu që, ajo duhet të investohet seriozisht në ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes civile nga fatkeqësitë.
Faza e tretë dhe e fundit është kthimi i gjëndjes fizike të territoreve dhe zhvillimeve në të, në gjendjen e para sulmit natyror. Nëse duam që jeta të vazhdoj edhe në këto territore dhe të vërtetojmë që ne dominojmë, duhet të ndërmarrim veprime rikupreruese. Kjo na bën më superior se të parët tanë të tre apo katër mijë viteve më parë, që në një sulm të tillë largoheshin nga ato territore duke lënë mbrapa edhe humbjet që kishin pësuar. Por ajo që do na projektonte si një shoqëri të aftë të planifikoj zhvillimet e saj, të paktën sa 200-300 vjet më parë (Mangalem Berat), është arsyetimi mbi logjikën minimale që po ndërtove në të njëjtën kuotë me lumin, përmbytesh.
Variantin tjetër, atë që e përdorim prej 25 vjetësh, atë të zëvendësimit të humbjeve dhe marrjes së disa masave për sulmet natyrore në të ardhmen, duhet ta harrojmë. Është kjo mënyrë që, falë cektisë së arsyetimit dhe ndryshimeve klimatike, na ka cuar nga përmbytja në përmbytjen më të madhe. Ajo që do na projektonte si një civilizim bashkëkohor është trajtimi i fazës së tretë si një aktivitet, së pari, planifikues. Ai duhet të jetë jo vetëm i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, por mbi të gjitha, i zgjuar. Aq i zgjuar sa të mos limitohet vetëm duke trajtuar këtë temë specifike, por duke e konsideruar këtë temë si një nga elementët e shumtë të problematikave territoriale.
Adresimi i dëmeve dhe disbalancave që kemi pësuar nga: ndërtimtaria e fragmentarizuar në qëndrat e banuara; zhvillimet paleje (për shkak të karakteristikave); popullimi dispropocional i territorit kombëtar (imigracioni); emigracioni masiv; dhe ndryshimet klimatike, duhet të jenë korniza e këtij lloj planifikimi. Ai jep perspektivat për zgjidhje të të gjitha cështjeve urbane dhe territoriale, përfshirë edhe cështjen e përmbytjeve. Sepse këto janë shkaktarët e vërtet, sikurse për shumcka, edhe për përmbytjet. Pa përfshirë këto, nuk mund të kemi zgjidhje të qëndrueshme në kohë, gjithëpërfshirëse në kontribute dhe përfitime, dhe të zgjuar në rendimentin ekonomik.  
Fal kësaj mënyre të të menduari, faza e kthimit të  territoreve në gjendjen fillestare (3) përfshin në vetvete edhe fazën e marrjes së masave paraprake (1), dhe ajo që mbetet jashtë është vetëm faza e përballjes me sulmin ndërsa ai është duke ndodhur. Sepse investimet e zgjuara për kthimin në gjendjen para dëmtimeve orientiohen drejt masave që minimizojnë efektet e sulmit. Kur kjo kthehet në sistem, është ai që punon për shoqërinë dhe ne kemi mbërritur në pikën ku duhet të ishim 25 vjet më parë. Në pikën ku ndërtesat dhe aktivitetet njerëzore, sikurse shkenca e zhvillimit territorial na mëson, lokalizohen vetëm në territore të përshtatura më parë për zhvillim.


Monday, December 11, 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017


I ulur në një restorant në Munih, në verën e vitit 1932, Hitleri skicoi prototipin e Beetle për Volswagen (makina e popullit). Në atë kohë vetëm elita shoqërore mund ti lejonin vetes një makinë, ndërkohë që Hitleri propogandonte se i gjithë populli duhet të kishte një makinë. Ai ja dha këtë skicë Jakob Werlin, shefit të Daimler-Benz, duke i theksuar: ‘Merreni këtë dhe flisni me njerëz të cilët kuptojnë për të, më shumë se unë. Por mos e lini pas dore. Unë dua të më raportohet sa më shpejtë për detajet teknike të saj’. E solla këtë detaj për të kuptuar se kush ishte marrdhënia, e pranuar nga të dyja palët mbi interesin reciprok, e Hitlerit me bisnesin privat.
Mirëpo nga skica në produkt ishte një rrugë e kushtueshme dhe Hitleri, tashmë lider i oligarkisë që drejtonte politikën dhe ekonominë si një unitet të vetëm, ja kaloi kostot e “suksesit” të këtij projekti popullit gjerman. Sikurse ndodh gjithmon në regjimet majtiste, ku e “mira e popullit” kthehet në fatkeqësinë e tij, edhe për këtë projekt populli u shtrëngua të pranonte shpikjen nacional-socialiste të ‘kursimit të detyruar’. Qytetarët që porosisnin makinën duhet të paguanin për kartelat e kursimit nga 5 marka në javë derisa të arrihej kosto e saj, dhe të prisnin rreth 4 vjet për ta marrë atë. Sigurisht që, shumica e “kursimtarëve” nuk e morën makinën që kishin paguar.
Në fakt, dimensioni që ma solli në vëmendje këtë situatë është impenjimi i gjerë i spektrit politik gjerman të para Luftës së Dytë Botërore në pranimin e kësaj nisme hitleriane, kurse ngjarja aktuale që e thërriti nga sirtari memoristik i leximeve të mia, është ‘sigurimi i detyrueshëm për përbytjet’. Tezë kjo, e z. Rama dhe e mbështetur nga bisnesi privat i sigurimeve, por cuditërisht, antilogjikisht dhe antipolitikisht edhe nga eksponentë të ekonomisë dhe gazetarisë që njihen si përcues të zërit të opozitës. Kjo më shqetëson sot, edhe sepse për ta fshehur këtë mbështetje ndaj nismës, sillej argumenti se kjo ishte një qasje e djathtë për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve.  
Apsolutisht një e pavërtetë që shoqërohet me një spektër të gjerë të pavërtetash që po ju shiten shqiptarëve prej 25 vjetësh, dhe që kanë prodhuar këtë demokracinë dhe kapitalizmin që ‘gëzojmë sot’! Hendeku parësor midis të majtës dhe të djathës nuk janë as niveli i taksave dhe as qasja ndaj sipërmarrjes private, sikurse po na thuhet në këtë rast por edhe në shumë raste të tjera në këto 25 vjet! Këto janë vetëm pasoja të hendekut të parë dhe të vetëm midis dy kaheve politike, i cili është niveli i respektimit të lirive ekonomike dhe politike të qytetarëve. Niveli i taksave dhe qasja ndaj bisnesit është pasojë logjike e kësaj diference ideologjike midis tyre.
Për të majtën individi është budalla që nuk e kupton të mirën e tij, dhe se qeverisja duhet të mendoj në vend të tyre. Bile, edhe ti mbroj nga vetja, ti edukoj, ti kulturoj, dhe këtë ta bëj edhe nëpërmjet ‘dhunës legjitime’ të shtetit. Kur e majta është nacional-socialiste, pra që e koncepton bisnesin privat jo si armik por si element të qeverisjes dhe instrument ‘për të arritur synimin e madh dhe final’, përfshin në diskursin dhe veprimtarinë qeverisëse edhe vendimin se cfarë duhet dhe ku duhet ti blejnë produktet dhe shërbimet qytetarët. Dhe, ky është rasti i ‘makinës së popullit’ në Gjermaninë e 1938-ës, dhe i ‘siguracionit të detyrueshëm’ në Shqipërinë e 2018-ës.
Ndërsa për të djathtën, qytetari është koshient për liritë e tij ekonomike e politike, dhe i ushtron ato i përgjegjshë për kornizën e Republikës. Fushëveprimtaria e qeverisë limitohet në ato nevoja që shoqëria i ka të përbashkëta, duke mos cënuar hapsirat e vendimarrjes individuale. Është kjo qasje që lejon mbajtjen e një shteti të vogël por eficent, dhe si pasojë e këtij shkaku, taksat janë të ulta dhe sektorët ekonomik privat në konkurencë të lirë lulëzojnë. Është liria ekonomike dhe politike e individit që prodhon demokracinë dhe kapitalizmin. Prandaj, ‘Sigurimi i detyrueshëm’ është vecse një taksë e re për oligarkinë që sot është një unitet, por kurrsesi zgjidhje e problemit.
Zgjidhjen duhet ta kërkojmë te përgjegjshmëria individuale që vjen si pasojë e lirisë. Ti lejojmë qytetarët të rriten, ata nuk janë fëmijët minoren të shtetit. Ata nuk janë as më budallenj dhe as më të pashkolluar se të parët e tyre që nuk e kishin “mbrojtjen” e shtetit nga fatkeqësitë natyrore, por janë më pak të përgjegjshëm sepse janë më pak të lirë. Edhe sepse, populizmi 25 vjecar nuk i ka lejuar të njohin përparësitë e kapitalizmit. ‘Sigurimi i detyrueshëm’ ka kuptim kur bëhet për dëmet ndaj të tretëve, por kur bëhet për veten dhe përfshin të gjitha familjet shqiptare, ai është shumë larg interesit publik dhe po aq korruptues sa demagogjia e ‘dëmshpërblimeve shtetërore’.  



Sunday, December 3, 2017

DY FJALË PËR PËRMBYTJET DERISA TË PËRMBYTEMI PRAP! Mapo, 04. 12. 2017



Korrupsioni nuk është plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare. Është populizmi, apo e spostuara e diskursit publik, kryesisht e elitës drejtuese, nga thelbi i problematikës sipas ekspertizës te ajo që masa kupton si cështje, dhe e arsyetimit mbi këtë thelb fals. Ndërtimi mbi themele të gabura, as ka dhënë dhe as ka për të dhënë ndonjëherë zgjidhje, dhe për këtë arsye ne gjendemi gjithmon të zhytur në të njëjtën kënetë. Pak a shumë kështu ndodh, në Shqipëri, për cdo cështje që shqetëson shoqërinë, por në këtë shkrim do fokusohemi te përmbytjet. Për to, diskursi publik ka laboruar tezën populiste se detyra e shtetit dhe shtetarëve qënka t’ju qëndroj afër të përmbyturve dhe ti ndihmoj në vet të parë, përgjatë kohës së përmbytjes. Medemek, bashkëndarja e “fatit të keq” qënka njësia matëse e mënyrës qeverisëse! Sa më shumë ditë pa gjumë të thuhet se ka ndejt ministri, sa më shumë ushtarakë të jenë përfshirë në operacine, aq më e aftë dhe e mirë qeverisja.
Lloji i cizmeve të përdorura në terren nga Kryeministri, mënyra sesi ai drejton mbledhjet e komitetit të emergjencave, grafikët apo tabelat që i shoqërojnë këto mbledhje, por edhe të tjera anekdoda si këto, përcaktojnë edhe kuptimin e gjerë shoqëror mbi performancën positive të qeverisë. Që në fakt duhet të ishte plotësisht e kundërta, sepse këto populizma janë aleati më i mirë i sulmeve të motit, dhe përforcues progresiv i dëmeve që ato sjellin. Sapo të kuptojmë këtë, ne duhet ta kalojmë targetin tonë nga përballimi me sukses i dëmeve, te marrja e masave paraprake që këto dëme të mos ndodhin apo të minimizohen. Zhvendosja e investimeve publike në qytete nga projektet zbukuruese te projektet përmbajtësore për funksionimin e tyre si një unitet fizik (infrastruktura sociale dhe inxhinierike), duhet të jetë hapi i parë. Ky rast, kërkon investime të menjëhershme te rrjeti i largimit të mbetjeve të lëngshme urbane dhe ujrave të shiut.
Bërë këtë pohim tautologjik, nuk është se kemi dalë nga mjedisi populist përderisa kushdo qytetar mund ta vërej këtë difekt të qyteteve tona. Megjithëse ky është një hap që duhet ndërmarrë, akoma nuk kemi kaluar në hapsirën ku themelet e diskursit që zgjidh problemet janë domein i ekspertizës. Këtu hyjnë në lojë urbanistët, sipas të cilëve nuk mund të kemi një qytet që përballon sulme të tilla të natyrës nëse ai nuk është zhvilluar në zbatim të një seti hirearkik planifikimesh vendore. Mirëpo kjo ka parakusht planifikimin territorial kombëtar, i cili synon respektimin e ekulibrave natyrore që kanë vendosur elementet e natyrës ndërmjet njëra- tjetrës, për miliona vjet. Pra, nëse ndërtojmë hidrocentrale, nëse shfrytëzojmë lumenjtë apo malet për materiale ndërtimore, duhet ta vlerësojmë më parë edhe cfarë ndrushimesh do të pësojnë elementët e tjerë të natyrës, si pyjet e gjelberimi i ulët, toka, nëntokësore dhe ujërat e saj, etj.
Pa u larguar nga planifikimi territorial kombëtar, ka një element shumë të rëndësishëm të tij që duhet evidentuar edhe për këtë temë. Element, që gjithashtu është “harruar” në këto kohë tranzicioni. E kam fjalën për detyrën bazike që ka kjo shkencë për të projektuar shpërndarjen e popullsisë nëpër qëndrat e banuara të vendit. I keni dëgjuar shtetarët kur flasin “për planifikim” zhvillimesh të reja në qytetet që ata drejtojnë ‘për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve’ që vijnë në qytetet e mëdha?! Kullat e Tiranës janë një shembull klasik i kësaj mënyre anti shkencore të të vepruari. Prandaj shoqëria shqiptare duhet ti iki populizmit tjetër që është i lidhur me këtë cështje, sipas të cilit, sa më shumë para’ tju japi shteti të përmbyturve si dëmshpërblim aq më të realizuar e bën këtë qeverisje! Nga qasja e dëmshpërblimit për dëmet e pësuara, ne duhet të kalojmë te largimi i banorëve dhe aktiviteteve nga ato territore ku ka rrezik të përsëritur.
Niveli i lartë i populizmit nuk do e përtypi lehtë këtë pohimin e fundit, jam i sigurt që disa nga ne do e konsiderojnë  herezi. Por mendojeni thjeshtë, sikurse bëni për cështjet në familjet tuaja. A do i conit këpucët disa herë te këpucari, nëse kosto për meremetimin e tyre do ishte më e madhe se cmimi i një pale të reja? Jam i sigurt se jo, sepse qytetarët nuk janë aq budallenj dhe të papërgjegjshëm sa qeveria. Ajo i dëmshpërblen të njëjtët të përmbytur për të disatën herë pa kuptuar që do ishte më ekonomike t’ju ndërtonte një bllok të ri banimi në një territor të sigurtë. Edhe për këtë arsye, ne duhet ti kthejmë sytë te rritja e përgjegjshmërisë individuale e familjare nëpërmjet lirisë dhe zvogëlimi i rolit të shtetit në jetën shoqërore. Vetëm papërgjegjshmëria individuale dhe familjare të marrë në “mbrojtje” nga supershteti, mund ti kthej përgjigje shteruese pyetjes pse të parët tanë ndërtonin në kodra, kurse ne ndërtojmë në brigjet e lumenjve?!

Wednesday, November 29, 2017

NGA ‘SHTATË MILION NË PESË SHTETE’ TE DURASANA! Mapo, 29. 11. 2017


Në vitin 1989, televizioni i vetëm shqiptar, RTVSH-ë, transmetoi një cikël emisionesh me titull ‘Shtatë milion në pesë shtete’. Duhet të ketë qenë i fundit nga emisionet e shumta me peshë patriotiko-nacionaliste, temë kjo shumë e pëlqyer nga regjimi stalinist i asaj kohe. Përmbajtja e ciklit më kujtohet pak, por tema e tij është ngulitur thellë në memorien time. Cikli laboronte tezën se, sa të lirë jetojnë shqiptarët në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë duke i vënë përball mungesën e lirisë së shqiptarëve të tjerë që jetonin në katër shtetet kufitare me të. Gjetje artistike, kjo, shumë inteligjente e propogandës bolshevike për të thënë një gjysëm të vërtete me synimin për të fshehur gjysmën tjetër të së vërtetës. E gjithë propaganda e realizmit socialist mbështetej te trajtimi i lirisë së shqiptarit si clirim nga pushtimi i Atdheut nga forca ushtarake të huaja, për të fshehur skllavërimin e shqiptarit nga shqiptari përshkak të sistemit politik në vend.  
Nuk do zgjatem për të riprodhuar përshkrimin e situatës së shtatë milion shqiptarëve në pesë shtete, sipas këtij cikli, sepse shumëkujt mund ti kujtohet më mirë se unë. Por do vijmë në ditët e sotme. Sot, pas tridhjetë vitesh situata ka ndryshuar shumë. Cështja e shqiptarëve në Greqi po njihet për ditë e më tepër. Shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë tentojnë të evidentohen si të tillë (shqiptar) në dimension sasior, për tu pranuar si faktor bazik politik në këto vende. Por, edhe në dimensionin cilësor për të marrë në kontroll administrimin e territoreve vendore ku ata janë shumicë. Më të realizuarit janë shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë formuar ‘de jure’ shtetin e tyre dhe po punojnë që këtë synim ta realizojnë edhe ‘de fakto’, duke zvogëluar pushtetin ndërkombëtar dhe zgjeruar pushtetin e tyre në institucionet e vendit. Por, edhe për të mbajtur territore historikisht të tyre, të cilat konjukturat ndërkombëtare kërkojnë t’ja dhurojnë Malit të Zi.
Për të vijuar më tej na duhet që, për së pari, ti kërkojmë ndjesë historianëve dhe njohësve nga fusha të tjera të cështjes kombëtare për këtë vlerësim amatoresk të një urbanisti. Dhe për së dyti, të sintetizojmë atë që kemi thënë në një fjali të vetme: shqiptarët që banojnë në territore shqiptare por në shtete të tjera po punojnë për të mbajtur territore historikisht të tyre, dhe për të shtrirë e zgjeruar legjitimitetin e tyre në to. Përball kësaj të vërtete, fatkeqësisht, qëndron e vërteta tjetër. E vërteta e marrdhënies të shqiptarëve të Shqipërisë me territorin historikisht të banuar prej tyre dhe asnjëherë të diskutuar nga ndërkombëtarët që prej 1913-ës.  Shqiptarët e Shqipërisë kanë bërë ekzaktësisht të kundërtën në këto tridhjetë vjet. Ata kanë lëshuar territoret e tyre historike për tu grumbulluar në Durasanë. Qytet- shtetin e së ardhmes së Shqipërisë që po shkon mbrapsht, sikurse në shumcka, edhe në marrdhënien midis qytetarit (kombit) dhe territorialitetit (shtetit)!
Ky është destinacioni final i kësaj rruge që kemi marrë ne shqiptarët e Shqipërisë. Troje kufitare e periferike të braktisuara dhe mbipopullim të territoreve të bashkive Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Sigurisht sot jemi në mes të këtij udhëtimi, dhe në hartën e territoreve të Shqipërisë të banuara nga shqiptarë mund të gjenden edhe qëndra të tjera, por sidoqoftë duke vëzhguar trendin destinacioni i së ardhmes kuptohet lehtësisht. Pas braktisjes së fshatrave për të banuar në qyteza, dhe pas braktisjeve të qytezave për të banuar në qytete, faza e tretë e imigrimit të shqiptarëve është grumbullimi në këto tre qytete të mëdha të vendit. Të cilat duke u tejshtrirë do bashkohen për të formësuar, një ditë në të ardhmen afatmesme, Durasan-in. Përvec trendit kemi edhe studimet. Sipas një të tilli të Kombeve të Bashkura (OKB) ‘Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100’, Shqipëria e vitit 2100 do të popullohet nga 1,7 milion banorë.
Nëse këto dy produkte të parashikimit i bëjmë bashkë, përfundimi do ishte katastrofik. Shqipëria e 28 mijë e 800 kilometrave katror e populluar nga 3. 2 milion shqiptarë, pas një shekulli do katandiset në Durasanin e 2 mijë e 200 kilometra katrorë e të populluar nga 1.7 milion banorë. Projeksion i tmerrshëm, i frikshëm, por me mundësi të madhe që të vërtetohet në të ardhmen. Sepse që sot jemi në gjysëm të rrugës. Që sot jemi 2.8 milion banorë, nga të cilët 1.4 milionë vetëm në këto tre qytete të vendit. Emigracioni, imigracioni dhe ulja e nivelit të rritjes natyrore të popullsisë, tre murtajat që vijnë nga injorimi i shkencës dhe mungesa e shpresës, do të plotësojnë pjesën e mbetur të rrugëtimit në këtë trend. Prandaj, ajo që na mbetet dhe është domosdoshmëri patriotike, është të ulemi dhe ta mendojmë gjatë dhe urtë këtë fatkeqësi që ka prekur vendin. Ta mendojmë dhe ti japim zgjidhje të zgjuar, të qëndrueshme, ndërbrezore dhe gjithëpërfshirëse.  

Friday, November 17, 2017

PREFEKTËT USHTARAKË NJË TJETER HAP PËRGJATË FASHISTIZIMIT TË QEVERISJES! Mapo, 17. 11. 2017


Qeveria Rama 1 mund të përkufizohet mbështetur në pesë karakteristikat e saj thelbësore: centralizuese, propogandistike, demagogjike, fasadiste dhe policore. Për katër vite, në një progresivitet të dallueshëm, kjo qeveri rrëmbeu cdo funksion vendor qeverisës dhe ushtroi vendimmarrjen e saj të paligjshme në aktivitete vendore, me dimension të fortë propogandistik, demagogjik dhe fasadist nëpërmjet “dhunës legjitime” të ushtruar nga policia e saj e militarizuar! Ajo  anashkaloi detyrat dhe funksionet e qeverisjes kombëtare, si hartimi i politikave kombëtare për shpërndarjen e popullsisë në territor, për transportet dhe infrastrukturën, për mbrojtjen e territoreve dhe zonave natyrore, për turizmin, për kulturën e të tjera si këto, për t’ju dedikuar cështjeve lokale, si të pastrehët, ndihma ekonomike, mbledhja e taksave lokale, menaxhimi urban (lejedhënia dhe kontrolli i territorit), dhe planifikimi territorial (planifikimi e projektimi urban).
Është kjo veprimtari dhe këto vecori të saj që na kanë drejtuar rreth tre vite më parë në pyetjen legjitime, a po shkojmë drejt fashizmit?! Pyetje kjo që e ka përgjigjen brenda, nëse këtyre karakteristikave që e bëjnë pothuajse komuniste i shtojmë edhe dy të tjera. E kam fjalën për shkeljen e të drejtave kushtetuese të individit si ajo për të siguruar mbijetesën, e barazisë së shtetasve dhe të drejtat e pronësisë, por edhe të drejtat qytetare si ajo e informimit publik dhe e përfshirjes qytetare në aktivitete qeverisëse. E kam fjalën, gjithashtu, për marrdhënien okulte midis qeverisë dhe një grushti njerëzish e bisnesesh në shpërndarjen e parave, pronave dhe punëve publike. Sepse janë këto karakteristika, vecanërisht e dyta që ndryshe nga kolektivizmi komunist ‘nuk e lufton sipërmarjen private por e shfrytëzon atë për unitetin dhe të mirën kombëtare’, që i japin asaj dimensionin unik të mortajës tjetër kolektiviste e marksiste, fashizmit.
Në këto rrethana të frikshme, z. Rama shkarkoi dhe emëroi njëkohësisht të 12 prefektët e qarqeve. Një vendimarrje qeverisëse plotësisht në baza ligjore e kushtetuese por që hapi një debat të madh publik. Shqetësimi i parë vjen nga konteksi. Në një kohë  kur Kryeministri është vetkthyer në Kryebashkiakun e Republikës dhe udhëheq nëpërmjet 61 drejtorëve të bindur apo të pabindur të tij lokal, kjo vendimarrje të vë në dyshime të thella. Shqetësimi i dytë vjen nga vendimarrja në vetvete. Shkarkimet lënë një shije të keqe sepse ato u kryen njëkohësisht, cka dëshmon se nuk ishte një vendimarrje mbi parimin e meritokracisë apo praktikën e vlerësimit të performancës individuale. Sidoqoftë, ajo që mori valencë të lartë nuk ishin shkarkimet, por emërimet e 12 prefektëve të rinj. Të gjithë ata janë ish ushtarakë të lartë, dhe z. Rama në konferencën për shtyp u shfaq shumë i vetëdijshëm dhe krenar për këtë përzgjedhje të tij.   
Kushdo që e ndoqi atë konferencë për shtyp i ka të dallueshme dy thekset që vuri Kryeministri në prezantimin e tij. Theksi i parë ishte kontributi i tyre në ushtrinë shqiptare në kohën ‘urdhëro-si urdhëron’. Pra, athere kur në Shqipëri ekzistonte ajo që Kryeministri i sotëm ‘po bën’: Shteti! Dhe shteti, si në regjimin, nostalgjikët e të cilit z. Rama po manipulon sepse e mbajnë në pushtet, edhe në regjimin që ai ka për model të qeverisjes së tij, “bëhet” vetëm me polici të militarizuar dhe drejtim ushtarak. Theksi i dytë ishin trajinimet dhe aftësimet që prefektë e rinj kishin kryer nën kuadrin e NATOs. Ky theks nuk i prish punë me nostalgjikët, që megjithëse përpara NATOs do të kishin preferuar Traktatin e Varshavës, janë mësuar me ilegalitetin (dualizmin e diskursit me veprimin) për hir të cështjes së “madhe”. Dhe në të njëjtën kohë i bën punë me ambasadorët dhe ndërkombëtarët, të cilëve mjafton t’ju bëj injeksionin demagogjik të radhës dhe flenë të qetë.
Përtej debatit public, mbi vendimarrjen e z. Rama për prefektët, ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e kornizon atë plotësisht. Është baza ligjore mbi të cilën do të operojnë këta zyrtarë, dhe vecanërisht funksionet dhe kompetencat që kanë. Nëse e studjon këtë bazë ligjore, kompetenca më e rëndësishme e tyre është ‘verifikimi i ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore’. Pra vecanërisht aktiviteti i kuvendeve lokale, që në të njëjtën kohë është veprimtaria e vetme qeverisëse jashtë kontrollit të z. Rama. Sigurisht se, kujdo profesioni ti përkisnin prefektët, sikurse gjithmonë ka ndodhur, Kryeministri do kishte pushtet mbi vendimet e Këshillave Bashkiakë. Porse në rastin kur prefektët janë ushtarakë të formuar kulturalisht dhe profesionalisht në komunizëm dhe drejtohen nga një epror me qasje fashiste qeverisëse, është evident rreziku që i kanoset qeverisjes vendore. 


Wednesday, November 8, 2017

PESË VALËT E SPEKULIMIT NË TREGUN E PASURIVE TË PALUAJTSHME. Mapo, 08. 11. 2017

Cudia më e madhe në tregun e imobiliareve është dinamika e cmimeve. Megjithëse mundësia për tu pajisur me një leje ndërtimi ka pësuar oshilacione të forta, cmimet nuk kanë ndryshuar në të njëjtën perspektivë. Asnjë vëzhgues i tregut të lirë nuk do ta shpjegoj dot këtë fakt empirik. Nuk e shpjegon dot, më vete, as mungesa e planifikimeve urbane dhe e politikave kombëtare territoriale. Ajo që ka ndodhur është fakti se produktet e këtij sektori asnjëherë nuk kanë qënë plotësisht në treg, por i janë dorëzuar pesë valëve të spekulimit me Atdheun, qytetet dhe konsumatorët. Ne i kemi prekur edhe më parë këto pesë valë, por sot do ti trajtojmë eksluzivisht.   
Në valën e parë, të quajtur nga unë ‘shitja e ajrit’, blerësi blente premtimin për një banesë me një cilësi të caktuar, ndërkohë që banesa nuk ishte ndërtuar akoma. Shumëkujt i kujtohet, por pakkush e ka kuptuar dëmin që i erdhi Atdheut territorial prej boshatisjes së qëndrave ekzistuese të banimit nga imigracioni, dhe dimensionit urban të qyteteve që u lëshuan apo pushtuan nga banorët në tranzit banimi. Sidoqoftë, janë të shumtë konsumatorët e këtij tregu ‘presale’ që nuk e morën atë cilësi, sasi e vendndodhje të apartamentit që kishin parapaguar. Kështu që, ose ju dorëzuan “fatit” që i kishte rënë, ose e pranuan atë “fat” pas zvarritjes me vite nëpër gjykata.
E dyta ishte ‘shitja me klering’, ku ekipeve apo ndërmarrjeve që ofronin shërbime, punime apo materiale ndërtimi u ofroheshin si pagesë sipërfaqe në ndërtim. Kjo valë ju kujtohet më mirë të përfshirëve në këtë skemë, të cilët megjithëse sot janë zotërues të disa apartamenteve apo hapsirave të shërbimit, mbeten në vështirësi jo vetëm të bëjnë investime për të zgjeruar dhe modernizuar aktivitetin, por edhe për të përballuar jetesën e përditshme. Produktet e kësaj vale i ndjejnë edhe blerësit të cilët gjejnë në treg të njëjtën ofertë me dy cmime të ndryshme. Sidoqoftë, edhe nga kjo valë spekulimi, e dëmtuara më e madhe mbetet Shqipëria territoriale dhe urbane.  
Vala e tretë ishte dhe mbetet ajo e ‘shitjes për panoramën’ më të mirë. Përgjatë saj ofrohen apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, parqet urbane, pyjet natyrore, bregliqenet apo breglumenjtë. Ishte kjo valë që inkurajoi zhvillimin e industrisë së “turizmit”, produkti i së cilës është i qartë për këdo: as urbane dhe as turistike. Një miks i shëmtuar që shkatërroi mundësinë për të zhvilluar një industri shumë produktive për ekonominë kombëtare. Ajo dëmtoi edhe blerësit, kur krenarisë së një banese ‘me panoramë të shkëlqyer’ ja zinte vendin mjerimi i shëmtisë së pallatit që ndërtohej midis dritares së tij dhe panoramës.
Vala e katërt e spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme sapo ka filluar. Unë e kam quajtur ‘shitja për luks’ dhe ka të bëjë me modelin e tejshtrirjes së re drejt periferive por pa ekuilibuar më parë shtrirjet ekzistuese urbane. Shembuj gjen në cdo komunë, por më përfaqësuesi është ‘Bulevardi i Ri’. Ky model na barazon me virusin, që në mënyrë ciklike, pasi konsumon e shkatërron cdo burim natyror të një mjedisi e braktis atë për të pushtuar në një mjedis tjetër. Përvec Atdheut dëmtohet cdo familje që zotëron një pronë në zonat ekzistuese të qytetit, përfshirë ata që për një cilësi më të mirë jetese blejnë një pronë të re pa shitur më parë të vjetrën.
Rrokada e pronarëve’ është vala e pestë. Ajo është premtuar nga arkitekti i Planit të Tiranës, z. Boeri dhe ka lidhje me atë që ky e quante ‘zhvendosje të të drejtave volumetrike’, apo ‘transferta e të drejtave të zhvillimit’ sikurse e quanin shpikësit e tij amerikanë. Ndryshe nga varianti original, ky i yni nuk ndërmeret për të konservuar territoret natyrore por për të justifikuar dëmet e shkaktuara nga mënyra e zhvillimit të lejuar në bumin ndërtimor të viteve 2000-2010. Pa eksploruar me instrumenta të tjerë, kjo valë do të detyrojë zhvendosjen e të drejtave të zhvillimit të pronarëve të vjetër në periferi, në përfitim të pronësive të reja të krijuara gjatë kësaj periudhe.    
Të pesta këto valë të spekullimit në tregun e pasurive të paluajtshme, që kanë karakteristika individuale, shfaqen të unifikuara, për sa i përket, asaj të keqe të madhe që kanë prodhuar dhe do të prodhojnë në vijim. Janë këto valë, arsyeja që cmimet e banesave dhe njësive të shërbimit, dinamika e zhvillimit të tyre dhe kërkesa konsumatore nuk shkojnë në një trend logjik. Grushti i njerëzve që vendosin, apo oligarkët sikurse i identifikojmë së fundi, nuk lejuan që mbiprodhimi të shkaktonte humbje për ta, por ja shkarkuan këtë dëm Atdheut territorial, dimensionit urban të qyteteve dhe mbajtësve të titujve të pronësive të vjetra, të krijuara rishtas dhe në zhvillim e sipër.


Friday, October 27, 2017

KUSH FITON NGA NDËRTIMI I ‘KULLAVE TË TIRANËS’?! Mapo, 27. 10. 2017


Pavarësisht argumenteve të deformuara të bashkisë Tiranë, argumenteve të oponentëve të saj dhe logjikës minimale që na drejton në moslejimin e ndërtimit të kullave të Tiranës, ato do të ndërtohen. Do të ndërtohen sepse kështu ka vendosur grushti i njerëzve që kanë monopolin e vendimarrjes për cështjet e rëndësisë bazike në Shqipëri. Dhe nuk kanë vendosur sot, sikurse po na e paraqesin, porse që në hapat e parë të procesit të hartimit të atij dëngu me tabakë të mëdhenj letre, që nuk e di pse e quajnë Plan Territorial të Përgjithshëm. Ajo që na mbetet, pas kësaj, është të opinionojmë mbi ‘kush do të fitoj’ nga lejimi i ndërtimit të këtyre kullave në qendër të qytetit.
E para e sigurtë është se, nuk fiton Atdheu!
Ky multiprojekt, së bashku me gjithë valën ndërtimore të projektit Durranasan ku bën pjesë, ka për produkt koncentrimin e qytetarëve shqiptarë në Tiranë. Si rrjedhim logjik territoret periferike të Atdheut do të braktisen. Në kuptim të patriotizmit, kjo do të thotë lëshim i territorit kombëtar. Mirëpo, kjo ka edhe implikime në ekonominë kombëtare. Largimi i burimeve njerëzore, dhe në këtë kuptim edhe i burimeve financiare, nga burimet natyrore e territoriale është vrasje për lindjen e sipërmarrjes së lirë me bazë prodhimin. Dhe kjo lë peng, ekonominë kombëtare te modeli i ‘konsumit të produkteve të importit’, dhe shoqërinë te ‘papunësia e shkallës së gjerë’.
E dyta e sigurt është se, nuk fiton Tirana urbane!
Nëse do ti bënim një vlerësim Tiranës urbane, vetëm me një fjali, do të thoshim se problemi i saj është se ka një raport të zhdrejtë midis volumeve të banimit dhe shërbimit me hapsirat publike e të hapura dhe infrastrukturave sociale dhe inxhinierike. Ky multiprojekt nuk bën gjë tjetër vecse e thellon këtë inbalancë sepse shton volumet ndërtimore të banimit dhe shërbimeve në qytet. Rrjedhimisht, vështirëson përdorimin human të qytetit dhe kjo ka implikime në stililin e jetesës së qytetarëve, shëndetin e tyre dhe ekonomitë familjare. Prurjet e reja njerëzore do të shoqërohen me thellim të heterogjenitetit, dhe kjo ka implikime negative në kohezionin social të Tiranës. 
E treta e sigurtë është se, nuk fitojnë qytetarët e sotëm të Tiranës!
Volumet e reja dëmtojnë cilësinë dhe stilin e jetës urbane të qytetarëve të sotëm. Implikimet kanë lidhje me rritjen e konkurencës në tregun e punës, i cili edhe sot është shumë i deformuar, por edhe me konflikte potenciale ndërkulturore. Por ajo që i dëmton thellësisht qytetarët e Tiranës është implikimi që ky megaprojekt ka në tregun e pasurive të paluajtshme. Shumica e familjeve zotëron një pronësi të paluajtshme, vlera e të cilave do të ulet në treg. Jo vetëm sepse shtohet një stok i ri, por edhe se ndërtuesve do ju duhet të shesin stokun e pashitur për të finacuar zhvillimet e reja. Kështu, qytetarët e sotëm do jenë më të varfër megjithëse do kenë të njëjtët tituj pronësish.
E katërta e sigurt është se, nuk fitojnë qytetarët e ardhshëm të Tiranës!
Ardhja në Tiranë nuk është një patologji shoqërore shqiptare për tu larguar nga vendbanimet e origjinës. Është plotësisht e kundërta. Është nevoja që këto ndërtesa të shiten (pjesërisht edhe të financohen) që ka zhvilluar një aksiomë shumë të gënjeshtërt, sipas të cilës vetëm në Tiranë mund të jetohet. Në ndjekje të “ëndrës Tiranase”, të ardhurit rishtas do harxhojnë paratë e grumbulluara (kryesisht në emigracion) dhe kredive skllavëruese, për të blerë beton të modeluar në apartamente. E gjitha kjo, duke i ikur mundësive për sipërmarrje në vendlindje dhe për tju dorëzuar papunësisë, punëve të vështira apo ëndrës për një vend pune në shtetin e partisë së tyre.
E pesta e diskutueshme është se, nuk fitojnë as investitorët!
Nëse stoku i banesave dhe i hapsirave tregtare do ishte në treg të lirë, do kishim një të ‘pestë të sigurt’. Pra, as investitorët nuk do të fitonin prej këtyre zhvillimeve. Mirëpo, ky stok asnjëherë nuk i është nënshtruar mekanizmave të tregut. Me target kryesor konservimin e cmimit të shitjes dhe në liri për të mos shitur sepse nuk i nevojiteshin para’ për investime të reja apo se nuk kishin barrë taksimi, ata e kanë mbajtur këtë stok në ‘paradhomën e tregut’. Duke ja shkarkuar të gjitha dëmet atdheut, qytetit dhe blerësve nëpërmjet pesë valëve të spekulimit me ta. Në të kundërt, nëse zhvilluesit sajojnë një valë të gjashtë spekullimi, atherë ata do të jenë të vetmit që fitojnë. 
Si përfundim?
Duke anashkaluar përgjigjen, për pyetjen ‘po zyrtarët e bashkisë, a fitojnë?’, sepse kjo nuk i përket as politikave të zhvillimit kombëtar dhe as politikave urbane, le të bëjmë ca parashikime opinionistike për të ardhmen. Së pari atdheu do vijojë të dëmtohet në dimensionin territorial, ekonomik dhe social. Së dyti qytetet do vijojnë zhvillimin e tyre në dy tipologji diametrikisht të kundërta: qytete të tejshtrira e të mbipopulluara dhe qytete të strukura e të nënpopulluara. Dhe së treti, familjet do mbeten në varfëri ekonomike dhe do jetojnë në banesa, lagje e qytete nën mjerimin urban, megjithëse do të zotërojnë më shumë tituj pronësie se ato që kishin më parë.  

Wednesday, October 18, 2017

‘KULLAT E TIRANËS’ SI EVOLUIM I VALËS SË TRETË TË SPEKULLIMIT NË TREGUN E PASURIVE TË PALUAJTSHME. Mapo, 18. 10. 2017

Fjala gradacelë është një neologjizëm e përshtatur nga gjuha angleze, ndërsa sinonimi i saj qiellgërvishës është përkthyer fjalë për fjalë nga fjala ‘skyscraper’.  Në kuptimin e teknikës ndërtimore ajo është thjeshtë një tipologji e ndërtesës, e cila ka marrë ekspansion në kohët moderne. Fillesat e saj i ka pasur në Chikagon e 150 viteve më parë kur arkitektët i dhanë formë këtij stili të ri ndërtimor që lindi nga nevoja njerëzore. Jemi duke folur për Chikagon e shekullit të 19-të, kohë kur ai u sulmua nga ‘Zjarri i Madh’i vitit 1871. I cili rrafshoi dhjetëra kilometra katror të shtrirjes së qytetit dhe la më shumë se 100 mijë të pastrehë. Nevoja, që nëpërmjet kontributeve të arkitektëve në planifikimin urban, stadartet e zonimit dhe këtij stili ndërtimor, e bënë Chikagon një nga pesë qytetet më të mëdha të botës. Në pjesën tjetër të botës, gradacelat u lartësuan paralelisht me nevojat për banesa si pasojë e imigracionit të revolucionit industrial.
E bëra këtë hyrje për të parashtruar tre cështje që i përkasin thelbit të debatit mbi gradacelat e qendrës së Tiranës. Së pari, se në qasjen makro (teorike) nuk duhet të shqetësohemi nga ndërtesat hiper të larta. Ato në vetvete janë thjesht një tipologji e ndërtesës e aplikuar prej dekadash në vendet perëndimore. Prandaj, sa më shpejt duhet ti “dekriminalizojmë”, edhe sepse nuk janë ato faktori apo aktori i vetëm i shkatërrimit të Tiranës urbane. Së dyti, se gradacelat nuk lindën nga asgjëja apo kot. Ato lindën nga risitë teknologjike (betoni i armuar dhe kostruksionet prej celiku), por mbi të gjitha nga nevoja e shoqërisë për ti dhënë zgjidhje emergjencave njerëzore apo bumeve të zhvillimit. Dhe së treti, instrumentat që përdori elita teknike e qytetit (arkitektët) nuk ishin vetëm gradacelat, por në të njëjtën kohë ata kontribuan edhe në instrumenta të planifikimit paraprirës si, planifikimi urban i qytetit dhe standarte teknike të projektimit urban.
Mirëpo, ne kemi në një pyetje konkrete e cila kërkon përgjigje kontekstuale. A duhet të shqetësohemi nga ndërtimi i gradacelave në zonën qendrore të Tiranës?! Thjeshtë ngritja e kësaj pyetje tregon se ne nuk kemi ndjekur hapat hirearkik planifikues. Nëse do i kishim ndjekur nuk do e kishim këtë debat, sepse përgjigjja do të ishte e inkorporuar në Planin e Përgjithshëm të qytetit dhe studimet pjesore. Por unë jam i detyruar të shkoj më tej me pyetjen: a ka ndonjë nevojë qytetaria e Tiranës urbane që kërkon lejimin e ndërtimit të këtyre gradacelave?! Përgjigjja është një JO e madhe! Në të kundërt sot Tirana urbane është një nga qytetet që ka sipërfaqen më të madhe të qëndrave tregtare dhe bisnesit në rajon dhe në të njëjtën kohë ka shitjet me pakicë më të ulta dhe bisneset më të dobta. E njëjta gjë për stokun e banesës. Sot Tirana ka  mijëra apartamente të pashitura ndërkohë që po projektojet të ndërtohen edhe disa mijëra të tjera!
Fakti që dimensioni public i Tiranës urbane nuk ka asnjë nevojë për ndërtimin e këtyre gradacelave është vetëm sipari i domosdoshmërisë për të mos i lejuar të zhvillohen. Arsyeja determinuese është ndikimi i tyre në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të drejtave të zhvillimit të tyre. Ekziston një e vërtetë e fshehur shumë bukur në vite. Megjithëse sot Tirana urbane është shumë keq e jetueshme për shkak edhe të volumit të ndërtesave të lejuara në 20 vitet e fundit, vetëm 3% e pronësive të paluajtshme janë lejuar të rizhvillojen. Cka do të thotë se 97% e tyre mbeten në pritje. Një përqindje kritike nga ky stok është në kufinjtë midis të nevojshmesh dhe të domosdoshmes për rizhvillim sepse i përket periudhës së para Luftës së Dytë Botërore apo viteve të para të socializmit shqiptar. Vjetërsisë moshore i shtohet mungesa e investimit për mirëmbajtje e rikonstruksion prej dekadash, dhe kjo e bën cështjen shumë të rrezikshme për interesin publik.
Kërkojmë të ndërtojmë ca volume ndërtimore me të drejta zhvillimi të koncentruara në pak zotërues të titujve të pronësisë, në vend që atë pak zhvillim që pranon akoma Tirana ta shpërndajmë në sa më shumë nga këto 97% të pronësive të pa rizhvilluara. Kjo është vendimarrja e bashkisë Tiranë. Me një fjalë, janë duke krijuar efektet e ‘Zjarrit të Madh të Chikagos’ në Tiranë por pa zjarr, dhe të Revolucionit Industrial por pa punësim! Dhe kjo, shkurt e sakt, do të thotë spekullim me dimensionin urban të qytetit, nevojën e shoqërisë dhe të drejtat e zhvillimit të pronësive të paluajtshme. Këto projekte private janë element të valës së tretë të spekulimit, të cilin unë e kam quajtur ‘panorama më eksluzive’. Evoluimi i vetëm nga kjo valë është se për suksesin e tyre janë investuar para’ publike për të ndërtuar ‘Bulevardin e Ri’, ‘Sheshin Skënderbej’ dhe infrastruktura të tjera, të cilat janë në shërbim eksluziv të këtyre kullave të reja.




Wednesday, October 11, 2017

ARGUMENTET E DEFORMUARA TË BASHKISË PËR ‘KULLAT E TIRANËS’. Mapo, 11. 10. 2017

Ka një arsye logjike pse nuk jam shprehur për kullat në qendër të Tiranës. Përfshirja në një debat të tillë të fragmentarizuar do të dëmtonte një nga tezat e mia më të rëndësishme. Tezën se, asnjë zhvillim parcial nuk mund të vlerësohet nëse nuk vjen nga një set hirearik planifikimesh. Thënë thjesht, për të vlerësuar nëse ndërtimi i kullave duhet lejuar apo jo, duhet të kemi së pari një Plan të Përgjithshëm të Tiranës dhe në zbatim e zbërthim të tij studime pjesore për të gjitha njësitë strukturore urbane ku përfshihen edhe trojet e këtyre ndërtesave që kërkohen të ndërtohen. Në këtë kuptim, opinion im jashtë konjukturës së ‘domosdoshmërisë së planifikimit’ do legjitimonte cdo opinion tjetër. Mirëpo, këto ditë u gjenda në vështirësi për ti qëndruar këtij parimi bazik sepse bashkia Tiranë shprehu publikisht argumentet e saj ‘pse kullat janë një e mirë publike për Tiranën urbane’! Argumente të cilat kam vendosur të replikojë në këtë shkrim modest opinioni.
Argumenti i parë, i autoritetit të bashkisë, ishte se midis dy qasjeve teknike për të rritur Tiranën urbane ‘tejshtrirjes apo densifikimit’, ata kishin zgjedhur të dytën. Për ta përkthyer në gjuhën e përditshme, ky është një debat bashkëkohor i shkencës së urbanistikës, në të cilin shkencëtarë të ndryshëm  kontribuojnë duke sjellë argumenta ‘pse qyteti duhet zgjeruar në sipërfaqe duke ruajtur të pandryshuar densitetin’ dhe/ose ‘pse qyteti duhet densifikuar pa u tejshtrirë’! Bashkisë Tiranë i kishin pëlqyer argumentet e grupit të dytë dhe kishin vendosur pro densifikimit nëpërmjet ndërtimit të këtyre kullave. Mirëpo, zyrtarët e Bashkisë kishin harruar pa konsideruar dy variabla teknike shumë të rëndësishme. Së pari, se Tirana me 200 banor për hektar është tashmë një qytet i mbidensifikuar. Dhe së dyti, Tirana urbane po i nënshtrohet gjithashtu edhe një supershtrirje në Bulevardin e Ri dhe zhvillimeve masive të pakontrolluara në periferitë e saj.   
Me një fjalë nuk kemi të bëjmë me një përzgjedhje midis dy alternativave teknike për tu rritur, sikurse po na thuhet, përderisa të dyja alternativat janë ndërmarrë nga e njëjta administratë lokale. Por kundështia ime më e madhe me arsyetimin e Bashkisë qëndron në pyetjen që ata as nuk e shtrojnë fare, dhe jo më të kërkojnë argumenta për ta mbrojtur. Kush e ka vendosur që Tirana duhet të rritet dhe që administrata lokale është e detyruar të zgjerojë dhe/ose të lartësojë qytetin për të strehuar 22 mijë të ardhur cdo vit në Tiranën e 1 milion banorëve?! Në fakt, ajo që kemi bërë në 20 vjetë është se të gjithë ndërtesave të stokut të banesës së ndërtuar në kohën e komunizmit i vumë rrota dhe e kemi sjellë në Tiranë. Bile më keq, ato i lamë atje ku ishin dhe ndërtuam 230 mijë të tjera. Që këtu duhet të nisi shkencërisht analiza mbi Tiranën e së nesërmes. Ky është dabati bazik për Tiranën urbane, përpara se gjithë Shqipëria të mblidhet në Tiranë.
Argumenti i dytë i zyrtarëve të bashkisë Tiranë lidhej me ‘ndihmën që do jepte ndërtimi i kullave në lehtësimin e trafikut në zonën qëndrore të Tiranës”! Edhe për këtë argument fshiheshin pas shkencëtarëve botëror, por pa përmendur asnjë prej tyre. Sidoqoftë, për ti dhënë hakun, është e vërtetë që ka kontrobues në vëzhgime sociale dhe urbane që e mbështesin këtë tezë, porse ata e bëjnë në konteksin e qëndrave të reja urbane. Rritja e densitetit nëpërmjet kullave të superlarta, vërtet shkurton distancat e lëvizjes së përdoruesve të rrugëve dhe kjo ul kohën e lëvizjes së automjeteve në rrjetin rrugor të qytetit, por jo në konteksin e Tiranës. Një ndër specifikat e saj është se korridoret rrugore janë shumë të ngushtë dhe të paadoptueshëm. Pra vërtet distancat e lëvizjes shkurtohen si pasojë e grumbullimit të aktivitetit human, por në të njëjtën kohë shtohet numri i mjeteve në lëvizje për njësinë e sipërfaqes rrugore, dhe kjo sjell bllokimin e trafikut.
Sidoqoftë, tre cështje i riverifikuam nga qëndrimi i administratës së Bashkisë Tiranë për lejimin e ndërtimit të disa kullave hiper të larta në zonën qendrore të qytetit dhe argumentet e tyre të deformuara për ta mbrojtur këtë vendimarrje anti Republike (cështje publike)! Së pari, se dimensioni teknik i administratës së bashkisë e ka të pamundur ti konteksualizojë zgjidhjet e teknikës dhe shkencës globale brenda kulturës dhe mundësive shqiptare. Së dyti, se Karl Poper i ‘Pozitivizmit Kritik’ kishte të drejtë kur kundështonte Ogyst Kont të ‘Pozitivizmit Klasik” me argumentin se njerëzit me dembelizmin dhe parazitizmin që i karakterizon janë të prirur të gjejnë vetëm ato fakte që vërtetojnë hipotezën e tyre. Dhe së fundi, ndonjëherë është e domosdoshme të shkelës mbi parimet e tua nëse ky veprim shkon në përputhje me domosdoshmërinë që publiku të informohet me alternativa të demagogjisë, dhe mbi këtë informim të riformatojë qëndrimet e tij. 

Wednesday, October 4, 2017

CFARË DUHET TË KUPTOJ ADMINISTRATA E SOTME LOKALE! Mapo, 04. 10. 2017


(Me referencë të vecantë Tiranën urbane)
Dëshironi qese?’, ishte pyetja shumë e cuditshme që ma bëri kashierja e një hipermarketi në Tiranë, ndërsa midis meje e saj qëndronte një mal me ushqime për tu transportuar. ‘Po’ - ju përgjigja me gjysëm zëri, sepse përgjigjen me zë të plotë nuk e meritonte ajo por drejtuesit e bashkisë Tiranë. Ata që “po na e bëjnë Tiranën si Parisi”, por që nuk kuptojnë se praktikat e mira perëndimore kanë vlerë kur implementohen vetëm pasi futen nën ‘lëkurën’ shqiptare. Kjo sepse, është e vërtetë që në disa qytete perëndimore qeset plastike janë me pagesë dhe kjo ka ndikimin e vet në nivelin e ndotjes mjedisore, porse kjo praktikë nuk ka asnjë ndikim në rastin shqiptar.  
Në ndryshim të kulturës perëndimore ku për mbetjet përdoret ambalazh i dedikuar, në Shqipëri qeset e blerjeve përdoren edhe për largimin e mbetjeve familjare në vendgrumbullimin e tyre. Është ky ndryshim i vogël që bën diferencën e madhe të impaktit mjedisor të të njëjtës praktikë por të ndërmarrë në dy kultura të ndryshme. Dimensioni kulturor i një shoqërie është thelbësor në ndërtimin e një rruge për ribërjen e qytetit. Këtë duhet ta kuptojnë sa më shpejt autoritet locale, të cilat përpara se të nxitohen në projekte populiste e demagogjike duhet të thellohen për të kuptuar disa gjëra thelbësore në “përshtatjen” e qëndrave urbane për një jetesë më humane.
E parë gjë që duhet të kuptojnë është se, problematikat dhe disekuilibrat urbane nuk mund përballohen pa përfshirë qytetarët dhe komunitetet  në planifikim, projektim dhe menaxhim të zgjidhjeve. Koha kur urbanistët ishin mbrojtësit e vetëm të cilësisë urbane dhe dimensionit human të qyteteve ka vdekur gjysëm shekulli më parë. Jo vetëm se ‘përfshirja qytetare’ është një parim i qeverisjes së mirë, por edhe për arsyen praktike se askush më mirë se të prekurit nuk mund ta njohin problematikën apo disekulibrin urban për të cilën po kërkohet zgjidhja. Askush më mirë se qytetarët dhe palët e interesuara nuk mund të dijë se ‘ku pikon catia e lagjes së tyre’.
Një gjë tjetër, po kaq e rëndësishme për ‘përfshirjen qytetare’ që duhet të kuptojnë është se ajo nuk mund të synohet nëpërmjet thirrjeve demagogjike, por duke rritur ndjenjën e përkatësisë së qytetarëve për pronësitë e përbashkëta dhe publike. Në fakt, është një marrdhënie ndërvarësie. Sa më të përfshirë ta ndjejnë veten qytetarët aq më të tyret do ju duken këto hapsira, dhe sa më të tyret tju duken këto hapsira aq më shumë përfshihen në proceset përmirësuese. Sepse, këtu nuk e kam fjalën vetëm për njohjen nga zyrtarët të praktikave qytetare, por për përfshirje intelektuale të këtyre përgjatë procesit të hartimit dhe implementimit të politikës, programit apo projektit.

Cështjet urbane nuk mund të trajtohen të fragmentarizuara, por si një agregat ku cdo cështje është një komponent që ndikon jo vetëm te e gjitha por edhe te komponentët e tjerë. Një ndërhyrje e fragmentarizuar provokon një reaksion zinxhir ndryshimesh që duket sikur përmirësojnë një problematikë, por në fakt prodhojnë një rrjet disekulibrash të tjerë. Nëse i bëjmë një vlerësim thelbësisht teknik do arrinim në përfundimin se fragmentarizimi i zhvillimit (lejedhënia), është arsyeja pse sot qytetet tona janë kaq keq të jetueshme. Dhe kjo është një gjë që ekspertiza lokale duhet ta kuptojë sa më shpejt, nëse e kemi seriozisht projektin për ndryshim.    
Në fund të fundit, kjo ishte nevoja e “shpikjes” së shkecës së urbanistikës. Vëzhgimi i një situate apo hapsire urbane si një e tërrë, duke përfshirë të gjithë elementët përbërës të tij. Për urbanistikën, të thuash se te ky sheshi do ndërtoj ‘një pallat’ apo ‘një lulishte’ është e njëjta gjë e gabuar. Urbanistika njeh si objekt të vetin shkencor njësinë urbane, e cila përfshin në vetvete edhe pallatin edhe lulishten, sikurse cdo element tjetër formues të saj. Për të njëjtën vlefshmëri shkencore, përtej demagogjisë e populizmit,  disekuilibrat urbanë nuk ekuilibrohen me aksione “me goditje të përqëndruar”, por me punë të përditshme sistematike të kudoshtrirë dhe afatgjatë.
Por ajo që vendimarrësit local duhet ta ngulisin në vetdijen e tyre teknike dhe politike është domosdoshmëria e planifikimit. Kthesa reale për qytetin nis nga proceset gjithëpërfshirëse dhe shumënivelëshe planifikuese. Janë këto procese që prodhojnë instrumenta planifikimi, të cilat do na thonë për cfarë ka nevojë qyteti në përgjithësi, qëndrat urbane të tij dhe njësitë strukturore të tyre. Nëse këto plane na përcaktojnë strategjikisht apo teknikisht rrugën që duhet të ndjekim nga njëra anë, dhe lejojnë ndryshime për tju përshtatur të papriturave dhe risive nga ana tjetër, atherë mund të themi se jemi në udhëtimin e duhur drejt një qyteti më human e më mirë të jetueshëm.